Dumani në Bruksel: Jemi kërcënuar nga media, politika dhe krimi i organizuar
Delegacioni Evropian në Shqipëri, përmes një postimi në platformën “X”, ka ndarë detaje nga takimi i zhvilluar javën e kaluar në Bruksel, ku i pranishëm ishte kreu i SPAK, Altin Dumani.
Takimi u zhvillua në Qendrën e Politikave Evropiane. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe zëvendësdrejtori i njësisë për strategjinë dhe koordinimin e zgjerimit në DG ENEST, Giulio Venneri.
Gjatë takimit, Dumani deklaroi se ai dhe SPAK janë përballur me kërcënime nga media, politika dhe krimi i organizuar.
“Transformimi sistemik është i mundur kur një shoqëri zgjedh integritetin mbi cinizmin, dhe kur institucionet ndërtohen jo për rehati politike, por për shërbim publik,” theksoi Dumani.
Ai shtoi se vështirësitë kanë qenë të shumta. “Ne në dhjetor mbushim 6 vjet. Vështirësitë kryesore kishin të bënin me organizimin e institucioneve. Një vështirësi tjetër ishte presioni i madh që gjendeshim, i publikut që kërkonte rezultate, pasi SPAK-u shihej, që prej krijimit, si një shpresë për funksionimin e institucioneve dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Tjetër vështirësi ishte menaxhimi i presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme që vinin drejt prokurorisë dhe prokurorëve të posaçëm, nga politika, nga media, por sidomos nga krimi i organizuar”, – tha Dumani.
