Kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi para Komisionit të Ligjeve se nuk do të rikandidojë pas përfundimit të mandatit të tij 9-vjeçar si prokuror i SPAK.
Megjithatë, ai ngriti shqetësimin se duhet të krijohet mundësia ligjore që prokurorët e SPAK të kenë të drejtën e rikandidimit pas përfundimit të mandatit. Sipas Dumanit, ky propozim nuk lidhet me interes personal, por me garantimin e vazhdimësisë dhe funksionimit të institucionit.
Ai shpjegoi se brenda një viti mandati përfundon për 11 prokurorë të SPAK, çka mund të krijojë një boshllëk serioz në strukturë. “Unë flas në emër të institucionit,” theksoi ai, duke shtuar se zëvendësimi i 11 prokurorëve brenda një viti është i pamundur për shkak të mungesës së burimeve njerëzore.
Një tjetër rrezik lidhet me faktin se këta prokurorë janë përfshirë në çështje të mëdha dhe komplekse, që kërkojnë ndjekje disa-vjeçare. Largimi i tyre për shkak të mbarimit të mandatit mund të cenojë hetimet.
Dumani theksoi gjithashtu investimin e madh të shtetit shqiptar, BE dhe SHBA në përgatitjen profesionale të kësaj trupe prokurorësh dhe garantimin e pavarësisë së tyre nga ndikimi politik, ekonomik apo kriminal. Ai sqaroi se nuk bëhet fjalë për rinovim mandati, por për dhënien e së drejtës për t’u rikandiduar.