Durrës: 70 familje rrezikojnë shpronësim nga projekti AADF

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka kritikuar ashpër projektin e AADF për shembjen e banesave në Durrës, duke e konsideruar atë si një pushtim të trashëgimisë kulturore. Sipas saj, mbi 70 familje durrsake janë nën presion për t’u shpronësuar, me interesa private që qëndrojnë pas projektit, dhe jo publike.

Zhupa ka deklaruar se projekti i AADF nuk është një rijetëzim, por një pushtim i trashëgimisë shqiptare, i dëmshëm dhe i padrejtë për komunitetin durrsak. Ajo ka akuzuar AADF se vepron si pronar i historisë dhe trashëgëmisë, ndërsa qeveria i jep mbështetje.

Deputetja ka shprehur mbështetjen e saj të plotë për banorët e lagjes së vjetër të Kalasë në Durrës, duke i përgëzuar për protestën e tyre përballë zyrave të AADF në Tiranë. Ajo e ka cilësuar reagimin e tyre si të drejtë kundrejt një padrejtësie të madhe.

Sipas Zhupës, mbi 70 familje janë nën presion për t’u shpronësuar pas një projekti që fsheh interesat private dhe zhduk kujtesën historike. Ajo theksoi se komuniteti ka mbajtur zonën gjallë për më shumë se një shekull dhe është pjesë e historisë. Zhupa argumentoi se turistët nuk vijnë për lulishte të shtrenjta, por për shtëpitë e vjetra dhe historinë e gjallë.

Ajo e ka quajtur krim ndaj identitetit shkatërrimin e trashëgimisë për të ndërtuar një “kartolinë sterile”. Deputetja ka paralajmëruar për një krizë të rëndë të integritetit shtetëror dhe shoqëror dhe ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të ndalojë menjëherë abuzimin.

Zhupa ka nënvizuar se detyra e qeverisë është të mbrojë qytetarët dhe trashëgiminë, jo t’i dorëzojë ato koncesionarëve. Si kryetare e komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, ajo ka premtuar kërkimin e dëgjesave në komision me banorët, bashkinë Durrës, AADF dhe Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sportit.

Ajo ka përfunduar duke theksuar se “Trashëgimia nuk shpronësohet. Nuk shembet. Trashëgimia jetohet dhe mbrohet, nga të gjithë!”.

Scroll to Top