Revista prestigjioze “ArtNews” ka shprehur habi për përfshirjen e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në listën e re të artistëve të galerisë bashkëkohore “Societe” në Berlin. Për gazetarët e huaj, kjo përfshirje shihet si një tjetër hap i papritur në karrierën artistike të Ramës, i cili njihet për ambiciet e tij si artist ndërkombëtar.
Artikulli i “ArtNews” përshkruan profilin e Ramës si politikan dhe artist, duke iu referuar ekspozitave të tij të mëparshme, si ajo në galerinë “Marian Goodman” në Paris. Puna e tij artistike përfshin qeramika dhe punime në letër, shpesh të krijuara gjatë mbledhjeve zyrtare.
Galeria “Societe” ka publikuar në Instagram punime të Ramës, duke cituar atë të thotë: “Politika është një betejë në jetën e përditshme. Dhe arti është si një lutje”. Galeria gjithashtu liston ekspozita ndërkombëtare ku Rama ka marrë pjesë, duke krijuar përshtypjen e një artisti me një karrierë të gjatë në skenën botërore.
Megjithatë, artikulli ngre dyshime mbi lidhjet mes politikës dhe artit, duke sjellë si shembull ekspozitën e vitit 2015 në Kinë, e financuar nga kompania “CEFC China Energy”. Në këtë periudhë, ish-këshilltari i Ramës, Dorian Duçka, punonte për këtë kompani, duke shërbyer si ndërmjetës mes interesave të CEFC-së dhe kryeministrit shqiptar, në një kohë kur kompania kineze synonte investime në Shqipëri.
Një tjetër rast i diskutueshëm është financimi i Bienales së Venecias në vitin 2017 me fonde publike, ku Edi Rama ekspozonte punimet e tij. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidentoi se fondet e planifikuara për promovimin e Shqipërisë në Kampionatin Europian të Futbollit u ridrejtuan për të mbuluar kontributin e Shqipërisë në Bienale. Pyetjet lindin nëse Rama ka përdorur paratë e taksapaguesve për promovimin e tij si piktor.
Kritikat nga ekspertë ndërkombëtarë, si ajo e gazetarëve kulturorë Alexxa Gotthardt dhe Scott Indrisek, të cilët i përshkruan pikturat e Ramës si “punime të një adoleshenti të droguar”, theksojnë dyshimet mbi mënyrën se si vepra të tilla arrijnë në hapësira prestigjioze si Bienalja e Venecias. Përfshirja e punimeve të tij në hyrje të “Padiglione degli artisti”, një hapësirë e rezervuar zakonisht për artistë me reputacion të lartë, shtoi dyshimet për ndërhyrje.
Artikulli përfundon duke theksuar se ndërsa gazetarët e huaj shohin vetëm imazhin e jashtëm të politikanit që ekspozohet si artist i afirmuar, ata nuk e shohin “infrastrukturën e pushtetit që e mbështet këtë rrugëtim, financimet e kamufluara dhe përfitimin e ndërsjellë midis politikës dhe artit”. Për publikun shqiptar, përfshirja e Edi Ramës në listën e “Societe” është vetëm një kapitull tjetër i mënyrës se si ai ka përdorur pushtetin politik në funksion të ambicieve personale.