Eksportet Shqiptare në Rënie: Të Dhënat e Fundit

Eksportet shënojnë rënie prej 6.9% në nëntor, 11-mujori mbyllet me -7%

Pas një përmirësimi të lehtë në tetor, eksportet e mallrave shqiptare jashtë vendit shënuan rënie vjetore me 6.9% në nëntor. Për të gjithë 11-mujorin, tkurrja e eksporteve ishte 7%, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Gjatë këtij 11-mujori, eksportet e mallrave arritën vlerën 319 miliardë lekë, duke u ulur me 24 miliardë lekë ose 7%. Më herët, INSTAT kishte raportuar se vlera zyrtare e eksporteve ishte rritur me 3.5% në tetë mujor. Kjo rritje kishte ardhur tërësisht për shkak të përfshirjes në llogaritje të mallrave që kalojnë tranzit drejt Kosovës, duke dyfishuar artificialisht shitjet drejt këtij vendi dhe duke ndikuar në përmirësimin e shifrës totale.

Rritja e fortë e eksporteve me Kosovën kishte të bënte me faktin se që nga 1 janari 2025, tranzitet e karburantit drejt Kosovës raportohen edhe si ri-eksporte, duke ndikuar në zgjerimin e fortë të eksporteve në vlerë, konkretisht të grupit minerale, lëndë djegëse dhe energji.

Sipas të dhënave të rishikuara të INSTAT, ndikimin në tendencën rënëse si në shtator ashtu edhe për 11-mujorin e ka dhënë grupi materiale ndërtimi e metale, si rrjedhojë e mbylljes së aktivitetit të Kurum, dhe në masë më të vogël, grupi minerale, lëndë djegëse e energji.

Eksportet e tekstileve e këpucë u rikuperuan në shtator dhe për 11-mujorin janë me një rënie prej -1.2%. Si njëmbëdhjetëmujsh, importet janë ulur me 1.0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Gjatë muajit nëntor, në rënien e eksporteve prej 6.9% kanë ndikuar negativisht grupet:

  • “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4.0 pikë përqindje.
  • “Tekstile dhe këpucë” me -1.0 pikë përqindje.

Pozitivisht kanë ndikuar grupet:

  • “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0.4 pikë përqindje.
  • “Produkte kimike dhe plastike” dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me nga +0.3 pikë përqindje.

Deficiti tregtar arriti vlerën 488 miliardë lekë në 11-mujor, duke u rritur me 3.4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Eksportet e tekstileve e këpucë në rënie të vazhdueshme

Eksportet e tekstileve e këpucë kanë shënuar luhatje të shumta përgjatë muajve të parë të këtij viti, me rënie e rritje të lehta. Në nëntor, eksportet në këtë grup ranë me -3.2%, pas rritjes së lehtë në shtator. Bizneset e sektorit pohojnë se situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë për shkak të rënies së kërkesës në tregjet ndërkombëtarë dhe rritjes së kostove të brendshme, gjë që po largon klientët nga Shqipëria. Për 9-mujorin, tendenca është negative e lehtë, me një rënie prej -1.2% me bazë vjetore. Sektori është në vështirësi dhe falimentet po shtohen dita-ditës. Sipas tyre, prodhimi i veshjeve dhe këpucëve në të gjithë Europën dhe në Shqipëri është në vështirësi për shkak të konkurrencës së veshjeve nga aplikacionet kineze Shein dhe TEMU.

Materiale ndërtimi i kthehen rritjes

“Materialet e ndërtimit dhe metalet”, pas një rënie të vazhdueshme këtë vit, u rritën në tetor dhe nëntor. Gjatë muajit të kaluar, eksportet në këtë grup u rritën me 2.7%. Për 10-mujorin, ky grup ra me 27.6%. Sektori po vuan nga kërkesa e dobët rajonale dhe tkurrja e çmimeve.

Ushqime, pije e duhan me rënie në nëntor

“Ushqime, pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit, po shënon rritje, por në nëntor edhe eksportet në këtë grup ranë me -5.2%. Fermerët pohojnë se sezoni i ngrohtë në Rajon ka ulur kërkesën për prodhim nga vendi ynë. Në janar-nëntor, ky grup u rrit me 5.8%, teksa në nëntor eksportet në këtë grup ranë. Eksportet e ushqimeve dhe pijeve u rritën në sasi më shumë se në vlerë në janar-nëntor, me rreth 5.8% më shumë se njëjta periudhë e vitit të mëparshëm, për shkak të shtimit të shitjeve jashtë vendit të shalqirit. Rritja e eksporteve të bostanorëve shtoi sasinë por jo vlerën, pasi një kilogram prej tyre shitet me lirë se sa një kilogram perime.

Minerale, lëndë djegëse, energji, përmbyset rritja!

Deri për 8-mujorin, INSTAT raportoi një rritje prej 51% për grupin e mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë, që në fakt u ndikua nga llogaritja e ri-eksporteve drejt Kosovës, si eksporte shqiptare. Pas rishikimit të shifrave, për 11-mujorin, INSTAT raportoi që shitjet e këtij grupi, që realisht ndikohen kryesisht nga nafta e Bankers Petroleum dhe energjia elektrike, kanë rënë me -8.6%, duke u kthyer në realitet. Në nëntor, eksportet në këtë grup shënuan rënie vjetore me -25.6%.

Makineritë e pajisjet rriten në nëntor

Grupi “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” iu kthye rritjes në nëntor me 3.5%, ndërsa për 11-mujorin zgjerimi është 5.5%. Ky grup po vuan zhvlerësimin e euros, rritjen e kostove dhe mungesën e fuqisë punëtore.

Rritet deficiti tregtar

Deficiti tregtar i këtij muaji është 49 miliardë lekë, duke u rritur me 5.4%, krahasuar me tetor 2024 dhe me 1.6%, në krahasim me shtator 2025. Në këtë dhjetëmujor, eksportet e mallrave arritën vlerën 291 miliardë lekë, duke u ulur me 7.0%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 737 miliardë lekë, duke u ulur me 0.8%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 445 miliardë lekë, duke u rritur me 3.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024.

Bien eksportet me Italinë dhe Kosovën

Në muajin nëntor 2025, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me nëntor 2024 janë Italia (7.6%), Gjermania (22.1%), Spanja (17.6%), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kosova (6.9%), Greqia (6.2%), Kina (0.1), etj.

Gjatë këtij njëmbëdhjetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10.7%), Kosova (11.2%) dhe Kina (0.1%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Greqia (6.7%) Gjermania (2.3%) dhe Spanja (23.6%).

Në muajin nëntor 2025, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, janë: Italia (1.5%), Greqia (2.8%), Gjermania (8.9%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kina (7.4%), Turqia (17.0%), SHBA (10.3%) etj.

Në nëntor 2025, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 74.8% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51.8% të importeve gjithsej. Në periudhën janar-nëntor 2025, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73.1% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51.3% të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (27.2%), Kina (10.4%), Greqia (7.7%) dhe Turqia (7.3%).

Ulen importet nga Turqia dhe Italia, rriten nga Kina

Gjatë këtij 11-mujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (1.8%), Turqia (12.5%) dhe Gjermania (6.2%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritje më të madhe janë: Kina (22.6%), Greqia (3.5%) dhe Kosova (2.2%).

Burimi: INSTAT

Scroll to Top