Endrit Shabani merr detyrën si Avokat i Popullit

Endrit Shabani merr zyrtarisht detyrën si Avokat i Popullit, prezantohet në krye të institucionit

Avokati i ri i Popullit, z. Endrit Shabani, mori sot zyrtarisht detyrën, një ditë pas betimit të tij përpara Kuvendit të Shqipërisë, duke nisur ushtrimin e mandatit kushtetues që i është besuar.

Prezantimi zyrtar i Avokatit të ri të Popullit përpara komisionerëve, administratës dhe stafit të institucionit u krye nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, z. Genci Gjonçaj, në përputhje me procedurat kushtetuese dhe në frymën e vijimësisë institucionale.

Zgjedhja e drejtuesit të ri vjen në një moment të rëndësishëm për institucionin dhe për vendin, ndërsa Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të integrimit evropian – një proces ku respektimi dhe garantimi i lirive e të drejtave të njeriut përbën një vlerë qendrore dhe një standard të patjetërsueshëm.

Institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson kontributin e Znj. Erinda Ballanca, e cila ka drejtuar për 8 vite dhe ndërsa ka vijuar të ushtrojë funksionin edhe përtej afatit kushtetues, ka garantuar stabilitet institucional, vazhdimësi të veprimtarisë në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në një periudhë me sfida të shumta.

Duke i uruar Avokatit të ri të Popullit, Z. Shabani suksese në detyrën e re, institucioni shpreh vullnetin për një tranzicion korrekt, bashkëpunim të plotë dhe vijim të pandërprerë të misionit kushtetues.

Scroll to Top