Endrit Shabani zgjidhet Avokat i Popullit: Votimi dhe reagimet

Endrit Shabani u zgjodh Avokat i Popullit me votat e Partisë Socialiste, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike që më parë kishin firmosur për kandidaturën e tij u tërhoqën.

Endrit Shabani u zgjodh mbrëmjen e djeshme Avokat i Popullit me 85 vota pro, të dhëna nga mazhoranca socialiste. Opozita nuk ka dhënë asnjë votë, ndonëse më parë, 34 deputetë të opozitës, përfshirë ata të Partisë Demokratike, Partisë Mundësia, Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partisë Socialdemokrate, kishin firmosur për kandidaturën e tij.

Më poshtë është lista e deputetëve të opozitës që firmosën:

  • Ina Zhupa
  • Fidel Kreka
  • Klevis Balliu
  • Xhelal Mziu
  • Manjola Luku
  • Ledina Alolli
  • Klit Hoti
  • Kastriot Piroli
  • Tritan Shehu
  • Erald Kapri
  • Enno Bozdo
  • Klodiana Çapja
  • Saimir Korreshi
  • Artan Luku
  • Luan Baçi
  • Bujar Leskaj
  • Oerd Bylykbashi
  • Bledion Nallbati
  • Jorida Tabaku
  • Bardh Spahia
  • Tomorr Alizoti
  • Arian Ndoja
  • Besart Xhaferri
  • Igli Cara
  • Greta Bardeli
  • Agron Shehaj
  • Flamur Hoxha
  • Elda Hoti
  • Tedi Mula
  • Vangjel Dule
  • Isuf Çela
  • Luciano Boçi
  • Besnik Brahimi
  • Shkurt Lasku

Më herët, Partia Demokratike kishte tërhequr firmat për 6 kandidatë, mes tyre edhe Endrit Shabani, me pretendimin se Partia Socialiste kërkonte ta sillte Shabanin në krye të institucionit duke e shfrytëzuar si kandidat.

Opozita kërkoi që projektvendimi të mos votohej në Kuvend, duke argumentuar se ata kishin dhënë vetëm firma për mbështetje dhe jo një propozim konkret. Megjithatë, kjo kërkesë u rrëzua me 77 vota kundër nga socialistët.

Niko Peleshi, kryetar i Kuvendit, deklaroi: “30 vota pro heqjes nga rendi i ditës, 77 vota kundër, 1 abstenim. Pra me 77 vota kundër mbetet në rendin e ditës projektvendimi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”.

Ndarja e votave për 6 kandidatët ishte si më poshtë:

  • Tartar Bazaj: 1 pro, 79 abstenim, 7 kundër
  • Aranita Brahaj: 4 pro, 76 abstenim, 7 kundër
  • Skënder Haluci: 1 pro, 72 abstenim, 14 kundër
  • Adriana Kalaja: 0 pro, 69 kundër, 17 abstenim
  • Besim Ndregjoni: 0 pro, 61 abstenim, 25 kundër
  • Endrit Shabani: 85 pro, 0 abstenim, 3 kundër

Reagimi i Endrit Shabanit

Pas votimit në Kuvend, Endrit Shabani falënderoi mazhorancën për votat e dhëna, duke e cilësuar si një akt pjekurie politike për të zgjidhur ngërçin e institucionit.

“Nuk mund të mos i falënderoj po aq sinqerisht deputetët e mazhorancës, pavarësisht se jam i vetëdijshëm që, më shumë se për mua, vota e tyre ishte një akt pjekurie politike për të zgjidhur ngërçin e stërzgjatur të institucionit dhe hedhur një hap domethënës për procesin e negociatave, ku ky ngërç shënohej si detyrë e pakryer shtëpie,” u shpreh Endrit Shabani.

Ai gjithashtu përmendi opozitën, duke shprehur habi për ndryshimin e qëndrimit të tyre, pasi më parë i kishin dhënë votat për kandidaturë, por më pas u tërhoqën.

Shabani falënderoi deputetët e opozitës, të cilët me firmat e tyre i dhanë mundësinë të kandidojë për postin e Avokatit të Popullit.

“Mbetem akoma i befasuar me deputetët e opozitës, të cilët fillimisht më inkurajuan me dashamirësi, më dhanë firmat e tyre sipas ligjit dhe më uruan sukses, por më pas vendosën ta braktisnin kandidaturën time a thua se nuk ishte e tyrja… Megjithatë, me keqardhje për vijën e pakuptueshme të partisë së tyre, dua t’i falënderoj sinqerisht 35 deputetët e opozitës, të cilët me firmat e tyre më dhanë mundësi të kandidoj për këtë funksion kushtetues,” shkroi Shabani në Facebook.

Scroll to Top