Probleme me energjinë elektrike në Kukës dhe Tropojë, disa rrugë të bllokuara
Në qarkun e Kukësit, furnizimi me energji elektrike është rikthyer pothuajse në të gjitha zonat. Megjithatë, disa fshatra të Njësisë Administrative Bytyç, siç janë Kam, Lajthiz, Haxhibegaj, Zogaj dhe Xhuxhë, vazhdojnë të jenë pa furnizim.
Gjithashtu, mungesa e energjisë elektrike preokupon edhe fshatrat Llugaj dhe Pac në Njësinë Administrative Llugaj, si dhe fshatin Çerem në Njësinë Administrative Margegaj të bashkisë Tropojë.
Ndërkohë, zonat e ulëta të Kukësit ndodhen nën ndikimin e reshjeve të dendura të shiut. Kjo situatë ka shkaktuar probleme serioze në rrugët nacionale dhe bashkiake, ku janë vënë re rrëshqitje dheu, rënie gurësh, inertesh dhe dherash. Si pasojë, disa segmente rrugore janë bllokuar dhe qarkullimi është vështirësuar.
Ekipet e emergjencave dhe autoritetet lokale ndodhen në terren duke punuar intensivisht për pastrimin e rrugëve dhe rivendosjen e qarkullimit normal. Banorët këshillohen të tregojnë kujdes dhe të evitojnë zonat e rrezikuara.
