Enti Rregullator i Energjisë (ERE) rishikon në ulje kohëzgjatjet mesatare të ndërprerjeve të energjisë
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka hapur një procedurë për ndryshimin e rregullores së furnizimit me energji. Ky ndryshim synon përmirësimin e disa treguesve kryesorë lidhur me cilësinë e furnizimit me energji elektrike dhe sigurinë e rrjetit të transmetimit. Konkretisht, bëhet fjalë për shkurtimin e kohëzgjatjes mesatare të ndërprerjeve, duke vendosur nivele më të ulëta krahasuar me rregulloren fillestare të vitit 2017.
Treguesit që do të rishikohen dhe propozimet e reja janë si më poshtë:
- AIT (Koha mesatare e ndërprerjes): Propozohet ulja nga 35 minuta në 25.96 minuta.
- ENS (Energji e pafurnizuar): Propozohet ulja nga 467 MWh në 365.997 MWh.
- SAIDI (Indeksi i Kohëzgjatjes Mesatare të Ndërprerjeve): Propozohet ulja nga 100 minuta në 39.48 minuta.
- VQ (Cilësia e Tensionit): Për diapazonin 110 kV – 300 kV, propozohet të jetë brenda diapazonit 0.90 pu – 1.118. Për diapazonin 300 kV – 400 kV, propozohet të jetë brenda diapazonit 0,90 pu – 1,05 pu.
Përveç këtyre, Enti ka bërë ndryshime edhe në pikat e tjera të rregullores. Neni 7, pika e fundit, thekson se “Nivelet e pritshme të performancës, siç miratuar nga ERE, do të vihen në zbatim menjëherë dhe do të mbeten në fuqi, deri në rivlerësimin e këtyre standardeve nga ERE në funksion të performancës së matur, raportuar dhe ushtruar”.
Gjithashtu, neni 7.3 parashikon që OST sha, ose ERE me iniciativën e saj, do të propozojë dhe ERE do të miratojë nivelin e lejuar të rishikuar të kritereve standarde të cilësisë së shërbimit, bazuar në performancën e matur, raportuar dhe ushtruar.
Lidhur me kompensimin në rastet kur standardet nuk përmbushen, është rishikuar pika 9.1 e nenit 9. Kjo pikë përcakton se kompensimi për klientët fundorë të lidhur në rrjetin e transmetimit, në rast të mosrespektimit të kritereve standarde të cilësisë së furnizimit dhe performancës së sigurisë së rrjetit, do të bëhet sipas përcaktimeve të Kodit të Rrjetit të Transmetimit dhe Marrëveshjes së Shërbimit të Transmetimit.
