“`html
Arrestohet në Brazil Ervin Mata, nën vëzhgimin e autoriteteve shqiptare prej dy vitesh
Biznesmeni Ervin Mata, i cili prej rreth dy vitesh ishte nën vëzhgimin e autoriteteve shqiptare, është arrestuar në Brazil. Ai kishte hyrë fshehurazi në Brazil përmes rrugëve detare, duke u vendosur në zonën e São Paulos, ku operonte me dokumente false. Autoritetet braziliane kishin lëshuar urdhër ndalimi për ekstradimin e tij prej gati një viti, por hasnin vështirësi në lokalizimin.
I cilësuar si “manjat droge”, Mata u arrestua në një operacion policor në Ilhabela, në bregdetin verior të São Paulo, si pasojë e një kërkese nga autoritetet gjermane, ndërkohë që kërkohet edhe nga Shqipëria.
Media braziliane raportoi: “Një burrë u gjet në një qendër tregtare pas një operacioni nga Policia Ushtarake; ai dyshohet për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe mund të ekstradohet. Ervin Mata u arrestua të shtunën në mbrëmje (25), në Ilhabela, në Bregun Verior të São Paulo, pas një operacioni nga Policia Ushtarake. Ai konsiderohej i arratisur nga drejtësia për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe bashkëpunim kriminal.”
Një detaj me rëndësi është se urdhër-arresti për Ervin Matën u lëshua nga gjykatësi ministër Alexandre de Moraes i Gjykatës së Lartë Federale (STF) në shtatorin e vitit të kaluar. Sipas urdhrit të arrestit, i dyshuari dyshohet se ka koordinuar, me bashkëpunëtorë, trafikimin e 240 kilogramëve kokainë më 29 shtator 2020, në qytetin e Frankfurtit, Gjermani.
Në vendimin e tij thuhet: “Me anë të kësaj urdhëroj ndalimin parandalues të Ervin Matës, duke përcaktuar lëshimin e një urdhër-arresti, ekzekutimi i të cilit duhet t’i komunikohet menjëherë kësaj Gjykate Supreme, Ministrisë së Drejtësisë, Interpolit dhe përfaqësisë diplomatike të shtetit përkatës.”
Arrestimi në Ilhabela ndodhi pasi informacione nga inteligjenca treguan se Mata po udhëtonte drejt Bregut Verior. Gjatë monitorimit, policia identifikoi se ai kishte përdorur rrugë alternative, duke përfshirë udhëtimin me det për në Ilhabela. Ekipet nga Njësia Taktike e Patrullës Rrugore (TOR) dhe Forca Taktike intensifikuan patrullimet në rajon dhe e lokalizuan të dyshuarin në një ndërtesë tregtare në arkipelag.
Një fotografi e momentit të arrestimit të Matës nga oficerët u publikua menjëherë. Sipas policisë, në kohën e ndërhyrjes, Mata u përpoq të fshihte identitetin e tij, por u njoh nga oficerët, të cilët kishin tashmë informacion për të arratisurin. Ai nuk i rezistoi arrestimit.
Pas arrestimit, i dyshuari iu dorëzua autoriteteve federale dhe mbetet në dispozicion të sistemit të drejtësisë. Çështja mund të rezultojë në procedurat e ekstradimit mes Gjermanisë apo Shqipërisë.
Sipas medias “G1”, e cila publikoi e para lajmin, Sekretariati i Sigurisë Publike të São Paulo konfirmoi arrestimin dhe tha se ai kishte udhëtuar nga rajoni Baixada Santista në bregdetin verior, ku u gjet gjatë një operacioni të përbashkët nga ekipet e policisë në qendër të Ilhabelës. I dyshuari u dërgua në Stacionin Federal të Policisë në São Sebastião, ku mbeti në dispozicion të Drejtësisë.
Interpoli deklaroi se nuk komenton për raste individuale. “G1” kontaktoi Policinë Federale dhe është duke pritur një përgjigje. Gjithashtu, “G1” informon se po kërkon komente nga ekipi mbrojtës i Ervin Matës.
“`
