Ervis Lami lirohet nga burgu; bashkëpunëtor i drejtësisë në aferën ARRSH

Del nga burgu Ervis Lami, biznesmeni i penduar që bashkëpunoi për aferat e ARRSH

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka liruar nga qelia biznesmenin Ervis Lami. Ai është pjesë e dosjes së Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), ku së bashku me Evis Berberin dhe 20 persona të tjerë akuzohen për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion pasiv, mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim dokumentesh.

Lami u lirua nga qelia pak ditë pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkoi që ai të dënohej me 4 vite shërbim prove, pasi mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Referuar dosjes së SPAK, Ervis Lami figuron si pronar fiktiv i kompanisë ‘DAAM shpk’. Pas kësaj kompanie fshihej Evis Berberi, ish-drejtor i ARRSH-së, i cili ishte pronari faktik. Kësaj kompanie Berberi i ka dhënë një numër të konsiderueshëm tenderash me vlera të mëdha, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm për Efeciencën e Energjisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Njoftimi i Apelit të GJKKO-së

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 30.04.2026, disponoi për çështjen penale nr. 119 akti, datë 22.04.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit E.L. Ky ankim kishte për objekt kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” me një masë më të butë, siç janë “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ose “Garancia pasurore”.

Vendimi i gjykatës ishte si vijon:

  • 1. Ndryshimin e Vendimit 233 Regjistri Themeltar, datë 19.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  • 2. Revokimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj Z. E.L, të caktuar me Vendimin nr. 21 Akti, datë 13.03.2024 dhe të verifikuar me Vendimin nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  • 3. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i Z. E.L nga paraburgimi, nëse liria e tij personale nuk kufizohet për ndonjë shkak tjetër ligjor.
  • 4. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.
  • 5. Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Vendimi u shpall në Tiranë, sot më datë 30.04.2026.

Scroll to Top