Balla dëshmon në GJKKO për dosjen “Partizani”

Balla dëshmon në GJKKO për dosjen “Partizani”, përballet me Malltezin në seancë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është marrë në pyetje si dëshmitar në Gjykatën e Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) lidhur me dosjen “Partizani”, në cilësinë e kallëzuesit. Gjatë seancës së kësaj të mërkure, Balla u përball edhe me Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në dëshminë e tij, Balla theksoi se kallëzimi i dorëzuar prej tij ishte shoqëruar me dokumentacion të detajuar dhe me data konkrete, duke ngritur dyshime mbi procedurat e ndjekura për privatizimin dhe vlerësimin e pronave.

“Si dashamirës i sportit, kam dorëzuar dokumente që tregojnë mospërputhje, ku në një rast prona përfshihej në planin e përhapjes dhe në një tjetër jo. Gjithashtu, vlerësimi i dy ndërtesave ka qenë në mënyrë qesharake i ulët,” deklaroi ai.

Sipas Ballës, faza e parë e procedurës është zhvilluar në një periudhë të shkurtër prej rreth 6 muajsh, duke ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e procesit. Ai shtoi se në kallëzimin e tij ka përfshirë edhe dyshime për pastrim parash dhe fshehje pasurie.

I pyetur nga përfaqësuesit e SPAK, Balla u shpreh se ishte njohur përmes mediave me pretendimet se pronarët e mëparshëm të pronës ishin dëmshpërblyer vite më parë.

Ndërkohë, gjatë pyetjeve nga Malltezi, një nga pronarët e tokës, Balla sqaroi se në kohën e depozitimit të kallëzimit mbante funksionet e Sekretarit të Përgjithshëm dhe më pas të Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, por kallëzimin e ka firmosur si qytetar.

“Kam kryer detyrën si çdo qytetar, në dobi të interesit publik,” u shpreh ai, duke theksuar se vendimi për kallëzimin ishte personal dhe jo i grupit parlamentar.

Pjesë nga gjyqi:

  • SPAK: Ju keni ngritur dyshime për origjinën e pronësisë, pasi pretendoi se janë dëmshpërblyer?
  • Balla: Jam njohur nga mediat me një dokument ku thuhej se pronarët janë dëmshpërblyer shumë vite më parë. Dihej botërisht që qeveria italiane nuk mund të ndërtonte një aeroport pa pasur një dokument pronësie.
  • SPAK: A ju kujton gjë shoqëria G Kamp?
  • Balla: Jo, nuk më kujtohet.
  • Jamarbër Malltezi: Çfarë pozicioni ishit kur bëtë kallëzimin?
  • Balla: Kam qenë sekretar i përgjithshëm i PS. Unë kam kryer detyrën si çdo qytetar. Kam kryer detyrën në dobi të interesit publik. Kam qenë kryetar i grupit të PS.
  • Jamarbër Malltezi: A më sqaroni dot se ku punoni?
  • Balla: Jam deputet i parlamentit të Shqipërisë.
  • Malltezi: Po funksion tjetër?
  • Balla: Drejtues politik i PS për diasporën.
  • Malltezi: Sa kohë keni deputet?
  • Balla: 9 shtator 2005.
  • Malltezi: Në çfarë pozicioni keni qenë kur keni bërë kallëzimin?
  • Balla: Kam qenë kryetar i grupit të partisë socialiste.
  • Malltezi: Në çfarë cilësie e keni bërë kallëzimin?
  • Balla: E kam nënshkruar si qytetar.
  • Malltezi: Dëshmitari thotë “e kam firmosur si qytetar”, ndërkohë duket qartazi ndryshe.
  • Balla: Në lidhje me këtë çështje kam kryer detyrën si qytetar i Republikës së Shqipërisë, kam bërë detyrën edhe si deputet dhe përfaqësues i një funksioni publik.
  • Malltezi: A ka qenë kjo veprimtari e grupit parlamentar?
  • Balla: Është e ndërthurur, vendimi ka qenë i imi, jo i grupit parlamentar të PS.
  • Malltezi: Provat a janë depozituar nga ju?
  • Balla: Kjo ka qenë një punë hetimore shumëvjeçare, kam shfrytëzuar ligjin për statusin e deputetit dhe kam mbledhur dokumentet dhe i kam depozituar në prokurorinë e posaçme.
  • Malltezi: Një pjesë e këtyre të dhënave janë të dhëna personale? Si janë marrë provat?
  • Balla: U jam drejtuar institucioneve në lidhje me procedurat që janë ndjekur, një pjesë kanë qenë edhe nëpërmjet qytetarëve.
Scroll to Top