Euro bie historikisht: Çfarë do të thotë për Shqipërinë?

Rikthehet rënia e Euros, arrin nivel historik pranë 93.6 lekëve

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun po thellon tendencën graduale të rënies. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, sot Euro u këmbye me 93.64 lekë, duke shënuar nivelin më të ulët historik. Që nga fillimi i vitit, kursi i Euros ndaj Lekut ka pësuar një rënie prej 3.2%, ndërsa në bazë vjetore kjo rënie arrin në 4.2%.

Agjentët e këmbimit valutor shpjegojnë se rënia e kursit gjatë sezonit veror lidhet kryesisht me tendencën e zakonshme sezonale. Gjatë kësaj periudhe, oferta valutore rritet si pasojë e numrit më të madh të turistëve të huaj.

Në përgjithësi, tregu valutor karakterizohet prej vitesh nga një ofertë e lartë valutore. Shifrat zyrtare dhe analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kjo rritje i detyrohet përmirësimit të Bilancit të Pagesave, falë flukseve më të mëdha valutore nga turizmi dhe niveleve të larta të investimeve të huaja direkte.

Megjithatë, në treg vazhdon të jetë i pranishëm perceptimi për një ndikim të fortë të prurjeve të valutës nga aktivitete jo ligjore.

Paralelisht, vlerësohet se politika fiskale e qeverisë luan një rol në forcimin e Lekut. Për vite me radhë, balanca buxhetore ka qenë në suficit të zgjeruar për pjesën më të madhe të vitit, ndërsa deficiti i planifikuar zakonisht shpenzohet në muajin dhjetor. Kjo politikë fiskale ul ofertën e Lekut në treg, duke kontribuar në forcimin e mëtejshëm të monedhës vendase.

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë përpjekje për të ngadalësuar rënien e Euros, duke kryer blerje të konsiderueshme të valutës. Për periudhën 2024-2025, Banka Qendrore ka blerë mbi dy miliardë euro në tregun e brendshëm. Blerjet kanë vijuar edhe në pjesën e parë të këtij viti, ndonëse shifrat ende nuk janë bërë publike. Për këtë vit, Banka e Shqipërisë parashikon të rrisë blerjet e planifikuara të valutës, me synimin për të blerë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, duke pasur si objektiv rritjen e rezervës valutore. Ky objektiv blerjesh është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet prej 270-350 milionë euro të parashikuara për vitin 2025. Megjithatë, shifrat e blerjeve pritet të jenë më të larta, duke përfshirë edhe blerjet direkte për të frenuar forcimin e Lekut.

Rritja e inflacionit mbi objektivin prej 3% e bën të sfidueshme vazhdimin e blerjeve në shifra të mëdha nga Banka Qendrore. Në këto kushte, blerjet e valutës nuk justifikohen më me objektivin e stabilitetit të çmimeve, dhe frenimi i rënies së Euros do të ketë si kosto një inflacion më të lartë në ekonomi.

Forcimi i Lekut vlerësohet se ka frenuar pjesërisht presionet inflacioniste mbi ekonominë shqiptare, duke bërë më të lira mallrat dhe shërbimet e importuara. Nga ana tjetër, Leku i fortë ka goditur sektorët eksportues të ekonomisë. Në mënyrë të veçantë, aktivitetet e fasonerisë janë prekur rëndë dhe kanë humbur konkurrueshmërinë që lidhej me koston e ulët të krahut të punës. Gjithashtu, zhvlerësimi i Euros po dëmton edhe konkurrueshmërinë e sektorit të turizmit, një sektor i cili është rritur edhe falë perceptimit si një alternativë me kosto të ulët.

Scroll to Top