Euro arrin nivelin më të ulët historik, duke zbritur nën 96.5 lekë
Kursi i këmbimit Euro-Lek vijon të tregojë trend rënës. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane e ka filluar javën me një tjetër rënie të lehtë, duke arritur një minimum të ri historik prej 96.49 lekë.
Agjentët e tregut shprehen se periudha aktuale karakterizohet nga flukse të shtuara të monedhës europiane, duke reflektuar në përgjithësi edhe një efekt sezonal. Megjithatë, rënia e kursit në bazë vjetore është relativisht e vogël, duke u regjistruar një ulje prej 1.8% krahasuar me një vit më parë.
Stabiliteti i kursit mbështetet te ndërhyrjet e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë. Banka Qendrore kryen operacione periodike të blerjes së valutës për të parandaluar forcimin e mëtejshëm të monedhës vendase. Këto veprime justifikohen me objektivin ligjor të kontrollit të inflacionit. Të dhënat e fundit tregojnë se inflacioni vjetor në nëntor zbriti në 2.1%, me ndikimin kryesor nga komponenti i importuar.
Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë po përpiqet të frenojë një mbiçmim të mëtejshëm të Lekut. Sipas deklaratave të Guvernatorit Sejko, blerjet e valute arritën rreth 800 milionë euro deri në fund të 9-mujorit 2025. Nëse blerjet do të kenë vazhduar me ritmet mesatare të tre tremujorëve të mëparshëm edhe në tremujorin e fundit, pritet që vlera e monedhës sërhequr nga tregu nga Banka e Shqipërisë këtë vit të kalojë 1 miliard euro.
Statistikat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e tretë 2025, bilanci i llogarisë korrente ishte pozitiv, me vlerën e 658 milionë eurove. Suficiti i llogarisë korrente shënoi një rritje të fortë prej 90% (rreth 312 milionë euro) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky suficit solli edhe daljen e përkohshme të ekonomisë shqiptare nga pozicioni i jashtëm negativ. Për gjithë 9-mujorin e parë, bilanci i llogarisë korrente ishte pozitiv me 51 milionë euro, ndërkohë që një vit më parë kishte shënuar një deficit prej 233 milionë euro.
Duke shtuar edhe flukset e investimeve të huaja direkte (të vlerësuara në mbi 1.2 miliardë euro), bilanci i hyrje-daljeve të valutës në ekonomi duket të ketë qenë pozitiv, duke shpjeguar kështu tendencat rënëse të kursit Euro-Lek. Megjithatë, statistikat e bilancit të pagesave nuk mbështeten plotësisht në matje direkte, por përfshijnë edhe vlerësime të bëra me metoda të tërthorta statistikore, prandaj duhen interpretuar me rezerva.
Në perceptimin e agjentëve të tregut, flukset informale të valutës mbeten një faktor që ndikon vazhdimisht kursin e këmbimit, por masa e ndikimit të tyre është e vështirë të vlerësohet.
Burimi: Banka e Shqipërisë
