Kur pritet zyrtarizimi i euros? Plani i integrimit dhe detyrat e Bankës së Shqipërisë
Euroja do të bëhet monedha zyrtare e Shqipërisë pasi vendi të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian (BE). Ky parashikim është përfshirë në projektligjin e ri “Banka e Shqipërisë”.
Jo vetëm që euroja do të jetë monedha me të cilën qytetarët do të kryejnë blerjet, do të marrin shërbime, kredi dhe do të mbajnë depozita, por ligji përcakton edhe rregullat që Banka e Shqipërisë duhet të ndjekë për t’u bërë pjesë e Bankës Qendrore Evropiane.
Kapitulli XV i këtij projektligji specifikon se Banka e Shqipërisë do të jetë përgjegjëse për nxjerrjen e euros në treg. Detyrat e saj do të përfshijnë lëshimin në qarkullim dhe tërheqjen e kartëmonedhave dhe monedhave euro, si dhe përshtatjen e dizajnit të monedhave sipas rregullave të Bashkimit Evropian.
Pranimi i euros si monedhë zyrtare do të sjellë ndryshime edhe në mënyrën e mbajtjes së rezervës valutore. Një element kyç i kapitullit në fjalë është rregullimi i marrëdhënieve financiare dhe operacionale me Eurosistemin, përfshirë transferimin dhe menaxhimin e rezervave valutore drejt Bankës Qendrore Evropiane, si dhe menaxhimin e pjesës së mbetur të rezervave.
Ky projektligj hap rrugën për integrimin e Bankës së Shqipërisë në sistemin monetar evropian.