Euro nuk ndal rënien, zbret për herë të parë poshtë nivelit të 93 lekëve
Monedha e përbashkët europiane po bie me shpejtësi në këto ditë të nxehta gushti. Kulmi i sezonit turistik ka rritur ofertën e euros në treg, si pasojë e prurjeve të shtuara nga turistët e huaj.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 92.96 lekë, duke shënuar një rënie prej 0.11 lekësh krahasuar me ditën e mëparshme. Vetëm gjatë muajit gusht, euro është nënçmuar me 0.57 lekë.
Krahasuar me fillimin e vitit, euro këmbehet me 3.8 lekë më pak, një nënçmim prej gati 4%. Agjentët e këmbimit valutor shpjegojnë se tregu ndodhet nën efektin e flukseve valutore të sezonit turistik, i cili arrin kulmin pikërisht në këtë periudhë të vitit.
Duke u krahasuar me kulmin e tij të rreth 140 lekëve të arritur në vitin 2011, sot euro këmbehet me 47.4 lekë më pak. Ky nënçmim prej gati 34% do të thotë se euro ka humbur një të tretën e vlerës së saj gjatë kësaj periudhe.
Aktorët e tregut pohojnë se rënia e euros gjatë dekadës së fundit lidhet me dy faktorë kryesorë. Së pari, flukset informale, të cilat kanë pasur një ndikim të dukshëm deri në vitin 2024. Pas kësaj periudhe, hyrjet valutore u shtuan, pjesërisht falë rritjes së numrit të turistëve të huaj, të cilët tejkaluan 12 milionë në vitin 2025.
Banka e Shqipërisë po ndërhyn vazhdimisht në tregun valutor për të blerë valutë. Megjithatë, këto ndërhyrje po arrijnë vetëm të kontrollojnë pjesërisht rënien e euros, pa mundur ta frenojnë plotësisht atë.
Burime nga tregu bëjnë të ditur se Banka Qendrore ka ndërhyrë dy herë së fundmi për të blerë euro. Që nga fillimi i vitit 2024 e deri në fund të tremujorit të tretë të vitit 2026, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu rreth 2.2 miliardë euro. Vetëm për tremujorin e parë të këtij viti, blerjet e valutës kanë pasur një vlerë prej 140 milionë eurosh, duke shënuar një rekord për këtë periudhë.
