Europa: A do të mbetet fuqi apo peng ekonomik?
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka paralajmëruar se Europa do të humbasë pavarësinë e saj ndaj gjigantëve ekonomikë globalë nëse liderët e saj nuk veprojnë me shpejtësi për të rikthyer konkurrueshmërinë.
Duke folur në parlamentin gjerman, Merz i bëri thirrje bllokut të ndërmarrë reforma të gjera ekonomike ose të rrezikojë të humbasë rëndësinë globale.
Ai theksoi se në javët, muajt apo vitet e ardhshme do të vendoset nëse Evropa do të mbetet një fuqi ekonomike e pavarur apo do të kthehet në një peng të qendrave të mëdha ekonomike në Azi ose Amerikë.
Merz është nën presion për të adresuar ngecjen ekonomike të Gjermanisë, e cila po përballet me pak rritje ekonomike, pjesërisht për shkak të politikave tarifore të SHBA-së.
Ai i ka kërkuar Brukselit të shkurtojë burokracinë për biznesin, të forcojë tregun e brendshëm të BE-së dhe të nënshkruajë më shumë marrëveshje tregtare globale.
Merz sugjeroi se një plan veprimi, bazuar në studimet e ish-kryeministrave italianë Mario Draghi dhe Enrico Letta, është mbi tryezë dhe duhet të merret në konsideratë nga Bashkimi Evropian.
Ai i bëri thirrje Komisionit Evropian të negociojë marrëveshje tregtare vetëm në nivel të BE-së dhe të miratojë një marrëveshje tregtare me bllokun Mercosur para fundit të vitit.