Moska: Rritja e planifikuar e prodhimit të dronëve për Ukrainën po e fut Evropën në luftë
Ministria ruse e Mbrojtjes ka paralajmëruar se planet evropiane për të rritur prodhimin e dronëve, me qëllim forcimin e forcave të armatosura të Ukrainës, po i tërheqin këto vende drejt një konflikti me Rusinë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, qeveritë e disa vendeve të Bashkimit Europian kanë vendosur të shtojnë prodhimin dhe dërgimin e mjeteve ajrore pa pilot (UAV) në Ukrainë. Ky veprim, sipas Rusisë, po çon në një përshkallëzim të konfliktit.
Në mbështetje të deklaratës, është publikuar një listë e industrive dhe ndërmarrjeve në disa vende, të cilat, siç theksohet, prodhojnë mjete ajrore pa pilot ose komponentë dronësh. Lista përfshin fabrika në Britani, Gjermani, Spanjë, Itali, Poloni dhe Izrael, duke përcaktuar edhe adresat e tyre.
Ministria Ruse e Mbrojtjes deklaroi: “Qytetarët evropianë jo vetëm që duhet të kuptojnë qartë shkaqet e vërteta të kërcënimeve për sigurinë e tyre, por edhe të dinë adresat dhe vendndodhjet e ndërmarrjeve dhe konsorciumeve ukrainase që prodhojnë UAV dhe komponentë të lidhur për Ukrainën në territorin e vendeve të tyre.”
Më pas, ish-Presidenti i Federatës Ruse dhe Zëvendëskryetari aktual i Këshillit të Sigurisë Ruse, Dmitry Medvedev, deklaroi përmes një postimi në platformën X se lista e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes është ekuivalente me një listë objektivash të mundshëm për forcat e armatosura ruse. Ai shtoi: “Kur sulmet do të bëhen realitet varet nga ajo që vjen më pas. Flini mirë, partnerë evropianë.”
Zyrtarët rusë, përfshirë Medvedev, kanë bërë vazhdimisht komente që janë perceptuar si kërcënime ndaj vendeve evropiane për mbështetjen e tyre ndaj Ukrainës. Megjithatë, këto komente zakonisht marrin formën e paralajmërimeve dhe aludimeve të fshehura në vend të njoftimeve të drejtpërdrejta për sulme të afërta.
