Save the Children ngre alarmin: Një në pesë fëmijë jetoi në zonë konflikti më 2024
Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve, Save the Children, ka dhënë një alarm shqetësues: rreth 520 milionë fëmijë në mbarë botën jetuan në zona konflikti gjatë vitit 2024. Kjo shifër paraqet një rritje prej 47 milionë fëmijësh krahasuar me vitin paraprak, duke arritur nivelin më të lartë të regjistruar që nga viti 2005.
Sipas raportit të organizatës, kjo do të thotë se një në çdo pesë fëmijë në botë ka qenë i ekspozuar ndaj një konflikti aktiv gjatë vitit të kaluar.
Raporti gjithashtu nxjerr në pah një rritje alarmante të shkeljeve kundër fëmijëve. Vetëm në vitin 2024, janë identifikuar 41.763 “shkelje të mëdha kundër fëmijëve”, një shifër që përfaqëson një rritje prej 30 për qind krahasuar me vitin 2023 dhe gjithashtu një rekord historik.
Më shumë se gjysma e këtyre incidenteve kanë ndodhur në katër rajone kryesore: territoret e pushtuara palestineze, Republika Demokratike e Kongos, Nigeri dhe Somali. Në total, janë regjistruar 61 konflikte ndërkombëtare, shifra më e lartë që nga viti 1946.
Florian Westphal, shef ekzekutiv i degës së Save the Children në Gjermani, ka bërë thirrje për veprime politike urgjente. Ai thekson se në një kohë kur përforcimet ushtarake në botë po rriten, mbrojtja e fëmijëve duhet të jetë në qendër të politikave të sigurisë. Westphal e cilëson si skandaloze mënyrën se si qeveritë po shpenzojnë më shumë fonde për armë sesa për mbrojtjen e fëmijëve në zonat e prekura nga konfliktet.
Të dhënat e këtij raporti janë bazuar në informacionin e mbledhur nga Instituti për Kërkime të Paqes me bazë në Oslo, si dhe nga raportet e Kombeve të Bashkuara. Përkufizimi i “zonave të konfliktit” përfshin zonat ku ka pasur të paktën një “incident konflikti” brenda një rrezeje prej 50 kilometrash gjatë vitit.
