Kompensimi i fermerëve përmes autofaturave kalon 10 milionë euro
Drejtoria e Tatimeve ka njoftuar se po vijon procesi i kompensimit të fermerëve duke përdorur sistemin e autofaturave. Gjatë periudhës 1 korrik – 31 gusht 2026, janë dorëzuar online 4,104 aplikime për kompensim, nga të cilat 2,906 janë miratuar dhe 1,016 janë ende në proces shqyrtimi.
Shuma totale e kompensimit prej 10% arrin në 10 milionë euro. Drejtoria e Tatimeve u kujton fermerëve se mund të aplikojnë online përmes platformës e-Filing për të përfituar kompensimin që u takon.
Aplikimet për kompensimin e TVSH-së kanë filluar më 1 Korrik 2026 dhe kryhen përmes sistemit e-Filing për të gjithë fermerët e pajisur me NIPT. Pas hyrjes në e-Filing, fermerët duhet të plotësojnë në rubrikën “Detajet e bankës” të dhënat e llogarisë bankare me numrin IBAN.
Pas plotësimit të kërkesës, në sistem fermerëve do t’u shfaqen autofaturat e periudhës janar-qershor, të cilat duhet të identifikohen nga vetë fermeri. Pas identifikimit të autofaturave, sistemi do të llogarisë automatikisht shumën totale të tyre dhe shumën e kompensimit prej 10%. Gjithashtu, sistemi kryen kontrolle për afatin, faturat dhe llogarinë përpara se ta pranojë aplikimin.
Qëllimi i kësaj skeme është të rimbursojë 10% të TVSH-së që fermeri ka paguar për inputet bujqësore, si plehrat kimike, farat dhe fidanët. Kjo synon të ulë kostot e prodhimit dhe të nxisë formalizimin e transaksioneve në sektorin.
