Festa e Qershisë Godlesh: Traditë, Kulturë e Turizëm

Festa e Qershisë në Godlesh: Promovim i Traditës dhe Potencialit të Zonës

Godoleshi u kthye këtë fundjavë në qendrën e festimeve të traditës dhe produkteve lokale me organizimin e “Festës së Qershisë”. Ky aktivitet shërbeu si një platformë për promovimin e vlerave bujqësore, kulturore dhe turistike të zonës.

Qindra vizitorë nga Elbasani, qytete të tjera të vendit dhe turistë të huaj morën pjesë në festën e zhvilluar në qendër të fshatit. Pjesëmarrësit u argëtuan me muzikë, aktivitete zbavitëse dhe panaire me produkte vendase.

Vëmendjen kryesore e mori qershia, produkti më i njohur i Godoleshit, e cila u ekspozua në stendat e fermerëve vendas. Vizitorët patën mundësinë të njiheshin nga afër me prodhimet e zonës, ndërsa panairi artizanal solli një përzierje punimesh tradicionale dhe suveniresh karakteristike.

Atmosfera festive u pasurua nga programi artistik, ku nuk munguan këngët, vallet popullore dhe performanca të ndryshme kulturore, që tërhoqën interesin e të pranishmëve gjatë gjithë mbrëmjes. Një hapësirë e veçantë iu kushtua edhe fëmijëve, të cilët u bënë pjesë e lojërave dhe aktiviteteve të organizuara posaçërisht për ta.

“Festa e Qershisë” është kthyer në një traditë të rëndësishme për Godoleshin. Ajo ofron një mundësi për promovimin e fermerëve vendas dhe produkteve tipike të zonës, si dhe për të nxitur zhvillimin e turizmit rural.

Përmes këtij aktiviteti, bashkia Elbasan synon të vlerësojë punën e fermerëve dhe të promovojë pasuritë natyrore e kulturore të territorit, duke e shndërruar Godoleshin në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për vizitorët.

Scroll to Top