Kreditë në Lekë Dominuese, Euro Zbritet në Shqipëri

Euro po braktiset nga huamarrësit, kreditë në lekë fitojnë terren gjatë katër muajve të parë të vitit

Sipas të dhënave të “Bankës së Shqipërisë”, huaja e re e disbursuar nga sistemi bankar arriti në 137.7 miliardë lekë në katër muajt e parë të vitit 2026. Ky shifër shënon një rritje prej 6.1% krahasuar me 129.8 miliardë lekë të regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Zgjerimi i kreditimit është mbështetur kryesisht nga huatë në monedhën vendase. Ndërkohë, kreditimi në euro ka shfaqur ecuri të ndryshme mes bizneseve dhe individëve.

Te korporatat jofinanciare private, kredia e re u rrit me 11.5%, duke arritur në 92.8 miliardë lekë. Financimi në lekë u zgjerua me 9.9%, në 46.5 miliardë lekë, ndërsa kreditë në euro arritën në 41.8 miliardë lekë, me një rritje prej 8.6% krahasuar me një vit më parë. Kjo tregon se bizneset vijojnë të mbështeten si te leku ashtu edhe te euroja për financimin e aktivitetit të tyre.

Ndryshe paraqitet situata për individët. Kreditë e reja për këtë segment u rritën vetëm me 3%, duke arritur në 44.2 miliardë lekë. Megjithatë, brenda kësaj kategorie vihet re një zhvendosje e fortë drejt monedhës vendase. Huaja në lekë u rrit me 13.1%, duke arritur në 37.4 miliardë lekë, ndërsa kreditimi në euro ra me 30.6%, në 6.9 miliardë lekë.

Rënia e huamarrjes në euro lidhet kryesisht me kreditë për blerje banesash. Në katër muajt e parë të vitit, kreditë hipotekore në euro zbritën në 3.9 miliardë lekë, nga 7.3 miliardë lekë një vit më parë, duke shënuar një tkurrje prej 46.6%. Në të kundërt, kreditë për banesa në lekë u rritën me 4.5%, duke arritur në 16.3 miliardë lekë.

Të dhënat tregojnë se procesi i orientimit të huamarrjes drejt monedhës vendase po vazhdon, veçanërisht te individët. Forcimi i lekut gjatë viteve të fundit dhe preferenca për të marrë kredi në të njëjtën monedhë me të ardhurat duket se po ndikojnë gjithnjë e më shumë në zgjedhjet e huamarrësve. Ndërkohë, bizneset mbeten më të ekspozuara ndaj euros, për shkak të aktivitetit tregtar dhe të ardhurave që një pjesë e tyre gjenerojnë në valutë.

Xhorxhina Deda/Scan TV

Scroll to Top