FMN ngre shqetësime për “Paqen Fiskale”
Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga Anke Weber dhe i përbërë nga ekspertë të tjerë të institucionit, zhvilloi vizitën vjetore në Tiranë gjatë datave 4–14 nëntor, në kuadër të Konsultimit të Nenit IV për vitin 2025. Në përfundim të vizitës, misioni publikoi një deklaratë me disa vlerësime dhe rekomandime të rëndësishme për ekonominë shqiptare.
FMN shprehu shqetësim të thellë për marrëveshjen e propozuar të ashtuquajtur “Paqja Fiskale”. Sipas deklaratës, elemente të tilla si marrëveshjet vullnetare për përcaktimin paraprak të fitimeve të tatueshme, pezullimi i auditimeve, fshirja e detyrimeve tatimore e doganore dhe rivlerësimi me norma të ulëta i pasqyrave financiare të së kaluarës, rrezikojnë të dëmtojnë ndjeshëm pajtueshmërinë tatimore.
FMN paralajmëron se këto masa mund të minojnë besueshmërinë e administratës tatimore dhe të përmbysin progresin e bërë deri tani në modernizimin e saj.
Në lidhje me lëvizjet e kursit të këmbimit, FMN vlerëson se forca e lekut shpjegohet kryesisht nga faktorë themelorë ekonomikë, ndërsa flukset spekulative financiare kanë pasur vetëm ndikim të kufizuar. Për këtë arsye, misioni sugjeron që Banka e Shqipërisë të lejojë më shumë fleksibilitet të kursit të këmbimit dhe të mbështetet kryesisht te normat e interesit për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Ndërhyrjet në tregun valutor, sipas FMN-së, duhet të përdoren vetëm në raste të rralla dhe të justifikuara nga goditje jo-themelore.
FMN rekomandon gjithashtu shmangien e bonuseve me bazë të gjerë për pensionet, duke argumentuar se këto masa janë të vështira për t’u kthyer pas, deformojnë lidhjen mes kontributeve dhe përfitimeve dhe përbëjnë rrezik për qëndrueshmërinë fiskale. Sipas tyre, mbështetja duhet të përqendrohet në programe të targetuara të asistencës sociale për familjet dhe individët në nevojë.
