FMN: Sfidat ekonomike në Shqipëri, nga rritja e paqëndrueshme te rreziku i kredisë për ndërtim
Megjithëse Shqipëria shënon një nga rritjet më të larta në Europë, sfidat pas kësaj ecurie janë të shumta, sipas deklaratës së plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Rritja ekonomike vijon të jetë e orientuar kryesisht nga turizmi, ndërkohë që rreziqet nga jashtë janë shtuar.
Nga ana tjetër, një tkurrje më e shpejtë se parashikimet e popullsisë në moshë pune mund të thellojë mungesën e fuqisë punëtore. Kjo situatë mund të nxisë inflacionin, të imponojë një politikë monetare më shtrënguese dhe të dobësojë perspektivën e rritjes ekonomike.
Shqipëria përballet gjithashtu me presione në rritje mbi shpenzimet publike. Nëse këto nuk adresohen në kohë, ato mund të vënë në rrezik qëndrueshmërinë fiskale në afatin e mesëm. Prirjet demografike pritet të rrisin ndjeshëm shpenzimet për pensione dhe shëndetësi.
FMN ka përsëritur qëndrimin e saj kundër amnistisë fiskale, pasi ajo rrezikon të dëmtojë pajtueshmërinë tatimore, të dobësojë besueshmërinë e sistemit të auditimit dhe të zhbëjë përparimet e arritura në modernizimin e administratës tatimore.
Institucioni ndërkombëtar ka rikujtuar nevojën për kujdes sa i përket rritjes së kredisë për pasuri të paluajtshme. Kjo kërkon një monitorim të vëmendshëm për të vlerësuar ndikimin e saj në rrezikun sistemik.
FMN rekomandon një paketë të gjerë reformash për rritjen e produktivitetit, me qëllim sigurimin e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme.
FMN theksoi se krijimi i Bankës së Zhvillimit të Shqipërisë (ADB) do të shtojë kompleksitetin e sektorit financiar. Për këtë arsye, kërkohen standarde të forta qeverisjeje dhe rregulla të qarta operacionale për të shmangur rreziqet për stabilitetin fiskal dhe financiar.
