Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka ulur ndjeshëm parashikimin e rritjes ekonomike për Shqipërinë në vitin 2025. Sipas raportit më të fundit të Pasqyrës Ekonomike Globale të tetorit, ekonomia shqiptare pritet të zgjerohet me 3.4%, krahasuar me 3.8% të parashikuara në raportin e pranverës.
Ndryshe nga parashikimi për vitin 2025, për vitin 2026 pritet një rritje e lehtë, ku ekonomia vendase parashikohet të zgjerohet me 3.6%, nga 3.5% sa ishte parashikuar më parë. Inflacioni mesatar vjetor parashikohet të jetë 2.3% në vitin 2025, një rritje e lehtë nga 2.2% në 2024, dhe të arrijë 2.8% në vitin 2026.
Në rajon, Kosova parashikohet të ketë rritjen më të lartë, me 3.9% në 2025 dhe 4% në 2026. Maqedonia e Veriut pritet të ketë të njëjtën rritje si Shqipëria, 3.4% në 2025. Mali i Zi pritet të ketë një performancë prej 3.2% në 2025, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina do të zgjerohet me 2.4% në 2025 dhe 2.7% në 2026. Serbia gjithashtu pritet të ketë një rritje prej 2.4% në 2025.
Në nivel global, FMN paralajmëron se ekonomia botërore po tregon shenja presioni nga tarifat dhe proteksionizmi, megjithëse ka rezistuar më mirë se sa pritej. Ekonomia botërore parashikohet të rritet me 3.2% këtë vit, nga 3% në korrik, dhe me 3.1% në vitin 2026. Megjithatë, perspektiva afatgjatë mbetet “e zymtë”.
Kryeekonomisti i FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas, theksoi se situata është më e mirë nga sa frikësohej, por më e keqe se sa pritej një vit më parë dhe se sa duhet të ishte. Ministrat e Financave dhe drejtuesit e bankave qendrore do të diskutojnë këto çështje gjatë takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore, nën hijen e tensioneve tregtare globale.
Rritja ekonomike në SHBA pritet të ngadalësohet në 2% këtë vit dhe të qëndrojë në 2.1% në 2026. Në zonën e euros, rritja parashikohet të jetë 1.2% këtë vit dhe 1.1% vitin e ardhshëm. Zgjerimi ekonomik i Kinës pritet të bjerë në 4.8% në 2025 dhe 4.2% në 2026.
FMN gjithashtu thekson se inflacioni po stabilizohet mbi objektivat e bankave qendrore në disa vende, duke vështirësuar politikëbërjen monetare. Rritja e huamarrjes dhe nevojat për shkurtime shpenzimesh nga qeveritë, veçanërisht në Europë, për shkak të plakjes së popullsisë, mbrojtjes dhe sigurisë energjetike, përbëjnë shqetësime shtesë.