Franca tërhiqet nga angazhimi për ndalimin me forcë të anijeve me emigrantë drejt Britanisë, vendimi cilësohet si “marifet politik”
Franca po tërhiqet nga angazhimi i saj i fundit për të ndërhyrë në det me forcë, me qëllim ndalimin e anijeve të vogla me emigrantë që përpiqen të kalojnë Kanalin Anglez drejt Mbretërisë së Bashkuar. Ky lajm u raportua nga BBC, duke cituar burime franceze.
Sipas raportit, trazirat politike aktuale në Francë kanë ndikuar në këtë vendim, duke përbërë një goditje për përpjekjet e qeverisë britanike për të frenuar valën e emigracionit të paligjshëm përmes Kanalit.
Burime nga siguria detare franceze i kanë thënë BBC-së se premtimet për një “doktrinë të re detare”, që do t’u lejonte forcave të patrullimit të kapnin anijet në det dhe t’i tërhiqnin ato në breg, janë “të kota”.
“Është thjesht një marifet politik. Është shumë llafe pa kuptim”, citohet të ketë thënë një figurë e lidhur me sigurinë detare franceze.
Eksperti i migracionit Peter Walsh nga Universiteti i Oksfordit paralajmëroi se masat e reja mund të mos zbatohen kurrë, ndërsa policia franceze dhe sindikatat e saj kanë ngritur shqetësime për rreziqet ligjore dhe humane të ndërhyrjeve në det.
