Fshirje detyrimesh tatimore e doganore: Paketë fiskale e re

Ndryshimet në Komisionin e Ekonomisë: Fshihen detyrimet e papaguara për taksat

Gjatë diskutimeve nen për nen të paketës fiskale, Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat miratoi disa ndryshime në projektligjin përkatës. Ky projektligj synon fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore, si dhe detyrimeve të pagueshme në doganë.

Një nga pikat kyçe të miratuara parashikon fshirjen e plotë të taksave dhe tarifave vendore, të cilat i përkasin periudhave tatimore deri në vitin 2014. Fillimisht, drafti i propozuar nga Ministria e Financave përfshinte vetëm fshirjen e plotë të detyrimeve të papaguara nga bizneset për tatime dhe dogana deri në vitin 2014.

Amendimet e miratuara propozuan nga deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, zgjerojnë skemën e lehtësimit duke përfshirë edhe detyrimet vendore më të vjetra se 10 vite. Sipas propozimit të Braçes, bizneset do të kenë mundësinë të shlyejnë 50% të vlerës së detyrimit, ndërsa 50% e mbetur do të falet. Deputeti argumentoi se e njëjta mundësi që ofrohet për detyrimet ndaj tatimeve dhe doganave, duhet t’u ofrohet edhe detyrimeve ndaj pushtetit vendor.

Komisioni miratoi amendimet e deputetit Braçe për nenin 6 të projektligjit. Megjithatë, u rrëzua një pjesë e amendimeve të propozuara nga deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo. Bozdo kishte propozuar që nga fshirja të përjashtoheshin individët që zotërojnë disa subjekte që kanë përfituar financime publike pas vitit 2015, ose që kanë deklaruar bilance pozitive pas vitit 2020. Ministria e Financave argumentoi se një kriter i tillë do ta bënte skemën të pazbatueshme për shkak të mungesës së gjurmueshmërisë së plotë, prandaj mbeti në fuqi parimi i universalitetit.

Projektligji përcakton se:

  • Për të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore direkte apo indirekte të papaguara deri më 31 dhjetor 2014, parashikohet fshirja e plotë. Përjashtim bëjnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për të cilat do të fshihen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat, jo kontributet.
  • Për detyrimet që i përkasin periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019, tatimpaguesit mund të përfitojnë shuarje të pjesshme:
    • Nëse paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026, pjesa tjetër fshihet.
    • Ose, nëse paguajnë 75% deri më 31 dhjetor 2026 me këste mujore, 25% e mbetur fshihet automatikisht.

    Në të dyja rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.

  • Për detyrimet e krijuara nga 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024, fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave është e mundur vetëm nëse paguhet plotësisht principali deri më 31 dhjetor 2026.
Scroll to Top