FSHZH shpall tender për modernizimin teknologjik të parkimeve publike në Vlorë, Durrës, Berat dhe Gjirokastër
Përmirësimi i performancës së parkimeve publike në qytetet Vlorë, Durrës, Berat dhe Gjirokastër, duke i pajisur ato me teknologji moderne, është objektiv i një prokurimi të hapur së fundmi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH). Fondi limit i këtij tenderi është 94 milionë lekë, ose rreth 1 milionë euro.
Kontrata ka për titull “Ndërtimi i nyjeve multimodale të mobilitetit, Rajoni 3 & 4: Përmirësimi i performancës së parkimeve përmes plotësimit me pajisje teknologjike”. Dokumentet e tenderit ofrojnë detaje specifike për secilin prej parkimeve.
Vlorë: Parkimi ndodhet në qendër të qytetit, nëntokësor, me kapacitet 133 vende parkimi. Aktualisht, sistemi i pagesës, i bazuar kryesisht në cash me një post pune dhe një makinë vetëshërbimi, konsiderohet i pamjaftueshëm. Sugjerohet shtimi i makinave automatike të pagesës (APM) dhe mundësia e pagesave me karta debi e kreditit.
Durrës: Parkimi publik është një strukturë e re me gjashtë kate mbi tokë, e ndërtuar me beton-armë. Sipërfaqja totale e ndërtimit është 15,106 metra katrorë, nga të cilat 13,957 metra katrorë janë të destinuara për parkim. Kapaciteti total është 353 vende parkimi, të vijëzuara dhe të numëruara.
Gjirokastër: Parkimi publik ndodhet në sheshin “Çerçiz Topulli”. Ai është tërësisht nëntokësor me tre nivele parkimi, duke ofruar 298 vende parkimi, të vijëzuara dhe të numëruara. Në hyrje dhe dalje janë instaluar barriera me tre metra.
Berat: Parkimi publik i vendosur në qendër të qytetit është një kat nëntokësor. Ka dy hyrje nga rrugët “Shetitorja Osumi” dhe “Antipatrea” dhe një dalje në rrugën “Shetitorja Osumi”. Kapaciteti është 198 vende parkimi, të vijëzuara dhe të numëruara. Në hyrje janë vendosur kolona Lite.Gate Entry për gjenerimin e biletave dhe leximin e kartave RFID, ndërsa në dalje kolona Lite.Gate Exit për menaxhimin e klientëve ditorë dhe abonimeve afatgjata.
Procedura synon pajisjen e këtyre parkimeve me teknologji për pagesa, kontrollin e hyrje-daljeve dhe menaxhimin e përdoruesve, sipas specifikimeve të përcaktuara në raportet teknike të tenderit. Ky modernizim konsiderohet i rëndësishëm, veçanërisht për qytetet turistike si këto, ku flukset e larta të automjeteve gjatë periudhave të ndryshme të vitit kërkojnë sisteme efektive.
