Kuvendi i Kosovës miraton pa asnjë votë kundër dërgimin e ushtarëve në Gaza
Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan të premten propozimin e Qeverisë për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Propozimi, për të cilin nevojitej një shumicë prej dy të tretave të votave, kaloi me 89 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Për të hyrë në fuqi, ky vendim duhet të nënshkruhet nga presidenti i Kosovës. Aktualisht, detyrën e ushtruesit të detyrës së presidentit e mban Albulena Haxhiu, nga partia në pushtet.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se ky vendim forcon më tej profilin ndërkombëtar të Kosovës, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe vendos vendin në mesin e shteteve që, përveç që përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, kontribuojnë edhe në ruajtjen e paqes dhe rendit global. Ai shtoi se, përmes këtij angazhimi, Kosova dëshmon se është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë, mbrojtjes së civilëve dhe mandateve ndërkombëtare.
Më 30 mars, Qeveria miratoi propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në Gaza. Dërgimi i trupave të FSK-së parashikohet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, e propozuar nga ish-presidenti amerikan Donald Trump për arritjen e paqes botërore.
Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës. Ende nuk dihet saktësisht se kur do të ndodhë dislokimi i trupave dhe sa do të jetë numri i tyre.
Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes. Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, një ndër themelueset e Bordit të Paqes, e ka mbështetur publikisht këtë nismë. Mandati i saj presidencial përfundoi më 4 prill.
Sipas raportimeve, Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të nisë angazhimin në Gaza nga muaji maj, duke përfshirë edhe dhjetëra ushtarë nga Kosova, megjithëse institucionet në Prishtinë nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë afat. Ministri Maqedonci ka deklaruar më herët se fillimisht planifikohet dërgimi i mbi 20 ushtarëve të specializuar në fusha të ndryshme, përfshirë njësitë për deminim dhe eliminimin e mjeteve të pashpërthyera (EOD), operacione speciale, planifikim dhe ekipe mjekësore.
Zyrtarët e ministrisë kanë bërë të ditur se janë në koordinim të vazhdueshëm me strukturat e FNS-së dhe se është caktuar një ushtarak ndërlidhës për përgatitjen e dislokimit. Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të ketë për detyrë stabilizimin e situatës së sigurisë në Gaza pas konfliktit të nisur në tetor 2023.
Ky nuk është dërgimi i parë i FSK-së jashtë vendit. Në vitin 2021, ajo mori pjesë në një mision në Kuvajt në bashkëpunim me forcat amerikane, ndërsa në vitin 2022 në Ishujt Falkland, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar.
FSK-ja është aktualisht në proces të shndërrimit në ushtri të plotë, proces që pritet të përfundojë deri në vitin 2028. Si për këto misione, ashtu edhe për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, dërgimi i FSK-së jashtë vendit bëhet në bazë të Ligjit për dërgimin e kësaj force jashtë vendit. Ky ligj parasheh që dërgimi i FSK-së në misione jashtë vendit bëhet në bazë të ndonjë marrëveshjeje dypalëshe me shtetin pritës, ftese nga ndonjë organizatë ndërkombëtare, apo me ndonjë rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ligji parasheh edhe aspekte të tjera të pjesëmarrjes së FSK-së në misione jashtë vendit, si kryerja e stërvitjeve dhe përgatitjeve para dërgimit. Mbulimi i shpenzimeve bëhet nga buxheti i vendit, por edhe nga organizata ndërkombëtare e shtete të tjera, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare apo ndërinstitucionale. Ligji cakton edhe rrethanat kur tërhiqet FSK-ja nga misione jashtë vendit, duke përfshirë mundësinë e tërheqjes në rrethana të jashtëzakonshme me vendim të presidentit të shtetit.
Përveç misioneve jashtë vendit, FSK-ja ka marrë pjesë edhe në operacione kërkim-shpëtimi dhe misione humanitare. Në janar të këtij viti, ushtarë kosovarë u përfshinë në kërkimin e një personi në Shqipëri. Pjesëtarë të FSK-së marrin pjesë edhe në trajnime jashtë vendit, si në dhjetor 2025, ku pjesëtarë të operacioneve speciale morën pjesë në trajnime me ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar në Belizë. FSK-ja ka partneritet të ngushtë edhe me Gardën Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës.
