Rinis furnizimi me ujë për një pjesë të Vlorës
Pas riparimit të defektit në tubacion dhe rikthimit të ujit në një pjesë të qytetit, Ujësjellësi i Vlorës apelon qytetarët që në 48 orët e para të mos e përdorin ujin për konsum.
Sipas njoftimit, sistemi i prodhimit është vendosur në funksion të plotë prej orëve të para të mëngjesit, ndërsa furnizimi me ujë ka nisur në zonën 24-orëshe. Për pjesën tjetër të qytetit, Ujësjellësi informon se furnizimi do të fillojë pasdite.
Po ashtu, po kryhen kontrolle për cilësinë e ujit dhe parametrat e tij. Për këtë arsye, kërkohet që uji të mos përdoret për konsum apo gatim në orët e para.
“Në këto kushte, kërkojmë mirëkuptimin tuaj që uji të përdoret vetëm për përdorim të jashtëm për 48 orët e para, jo për konsum dhe gatim,” thuhet në reagim.
Vlora ishte pa ujë për pesë ditë për shkak të defektit, gjë që solli edhe reagimin e qytetarëve, të cilët dolën në protestë. Kryeministri Edi Rama reagoi ditën e djeshme, duke thënë se po sillnin nga Stambolli pajisjet hidraulike për riparim. Pajisjet u sollën mbrëmjen e djeshme, dhe riparimi vijoi deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Reagimi i plotë:
NJOFTIM PËR FURNIZIMIN ME UJË TË QYTETIT
Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, njofton qytetarët për përfundimin e riparimit të avarisë së rëndë në rrjetin e furnizimit me ujë.
Sistemi i prodhimit është vendosur në funksion prej orëve të para të mëngjesit. Zona 24-orëshe ka nisur furnizimin me ujë. Pjesa tjetër e qytetit do të furnizohet në orarin e pasdites.
Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, do të ndjekë protokolli zyrtar për kontrollin e cilësisë së ujit dhe matjen e parametrave.
Në këto kushte, kërkojmë mirëkuptimin tuaj që uji të përdoret vetëm për përdorim të jashtëm për 48 orët e para, jo për konsum dhe gatim.
Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin e krijuar gjatë këtyre ditëve dhe ju falenderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj!
