Gjermania minimizon rrezikun e një sulmi amerikan ndaj Groenlandës, pavarësisht deklaratave të Trump
Ministri i Jashtëm gjerman ka shprehur të hënën një qëndrim të matur përsa i përket rrezikut të një sulmi amerikan ndaj Groenlandës. Ky qëndrim vjen pavarësisht kërcënimeve të përsëritura nga presidenti Donald Trump, i cili ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të “blejnë” territorin e gjerë autonom, pjesë e mbretërisë së Danimarkës dhe aleat i Uashingtonit në NATO.
“Nuk kam asnjë tregues se kjo po merret seriozisht në konsideratë” nga qeveria amerikane, ka deklaruar ministri gjerman Johan Vandeful, pas një takimi në Uashington me homologun e tij amerikan, Marco Rubio. Ai u shpreh kështu kur u pyet për mundësinë e një aneksimi të Groenlandës me forcë.
“Mendoj se ekziston një interes i përbashkët për të adresuar çështjet e sigurisë që lindin në rajonin e Arktikut. Këtë duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë,” shtoi ai.
Sipas Vandeful, NATO është aktualisht në proces të hartimit të planeve më të forta për sigurinë në Arktik, të cilat më pas do të diskutohen me partnerët amerikanë. Vizita e ministrit të Jashtëm gjerman në Uashington zhvillohet përpara një takimi të pritshëm të Marco Rubio-s me zyrtarë nga Danimarka dhe Groenlanda më vonë gjatë kësaj jave.
Donald Trump përsëriti të dielën se Uashingtoni do ta marrë Groenlandën “në një mënyrë ose në tjetër”, duke sqaruar se nuk po fliste për një “qiradhënie” afatshkurtër, por për aneksimin e ishullit.
Republikanët e konsiderojnë Groenlandën si një aset strategjik për sigurinë e SHBA-së përballë Kinës dhe Rusisë. Trump ka akuzuar Danimarkën se po e neglizhon ishullin dhe mbrojtjen e tij.
Ndërkohë, anëtarë të Kongresit amerikan njoftuan se një delegacion do të udhëtojë të premten dhe të shtunën në Kopenhagë, në kuadër të rrugëtimit drejt Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Sipas senatorit demokrat Chris Coons, delegacioni do të takohet me liderë politikë dhe biznesi për të diskutuar “forcimin e sigurisë në Arktik dhe thellimin e marrëdhënieve tregtare”.
Senatori republikan Tom Tillis theksoi se “është thelbësore që Kongresi të shfaqet i bashkuar në mbështetje të aleatëve tanë dhe sovranitetit të Danimarkës dhe Groenlandës”.
Pas deklaratave të Trump, NATO dhe autoritetet e Groenlandës kanë bërë të ditur se synojnë të forcojnë mbrojtjen e rajonit. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, paralajmëroi më herët këtë muaj se aneksimi i Groenlandës do të nënkuptonte “fundin” dhe “vdekjen” e aleancës Atlantike.
