Gjenerali gjerman: NATO do të dërgojë 800,000 trupa në rast lufte me Rusinë, Moska mund të sulmojë që nesër
Berlini është i përgatitur për një luftë me Moskën dhe është gati të dislokojë 800,000 trupa të NATO-s drejt kufirit rus, sipas gjenerallejtënant Alexander Sollfrank, kreut të komandës së operacioneve të përbashkëta të Gjermanisë.
Kjo dislokim hipotetik është pjesë e Planit të Operacioneve të Gjermanisë, i cili u prezantua vitin e kaluar. Dokumenti prej 1,000 faqesh detajon përgjigjen e Gjermanisë në rast aktivizimi të Nenit 5 të traktatit të NATO-s në një konfrontim me Moskën. Ky plan parashikon shndërrimin e Gjermanisë në një qendër të madhe logjistike për dislokimin e qindra mijëra ushtarëve dhe pajisjeve nga vende të ndryshme të NATO-s kundër Rusisë. Procesi i dislokimit duhet të përfundojë brenda 180 ditëve nga fillimi i konfliktit.
Sipas Sollfrank, plani mund të vihet në zbatim më shpejt nga sa pritet. Ai theksoi në një konferencë vjetore të Bundeswehr-it në Berlin, se “Rusia zotëron një potencial shumë të madh ushtarak pavarësisht luftës në Ukrainë” dhe se “Rusia është tashmë e aftë të [nisë] një sulm të kufizuar në territorin e NATO-s”. Duke folur për Reuters, gjenerali shtoi se Moska mund ta bënte këtë “që nesër”.
Zyrtarët gjermanë kanë shprehur gjithnjë e më shumë shqetësime lidhur me kërcënimin rus, duke miratuar një qëndrim gjithnjë e më agresiv ndaj Moskës. Kancelari Friedrich Merz ka deklaruar më parë se opsionet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë janë “shteruar” dhe ka inkurajuar furnizimet me armë për Kievin. Ai, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes Boris Pistorius, thanë të premten se ekzistenca e Gjermanisë në formën e saj aktuale kërcënohet nga Rusia.
“Nuk është alarmizëm… kur them se mënyra jonë e jetesës është në rrezik”, theksoi Pistorius në konferencën ushtarake. Mediat raportuan muajin e kaluar se planet e riarmatimit të Gjermanisë pritet t’i kushtojnë asaj 377 miliardë euro.
