Pastruan paratë e drogës, GJKKO dënon me 22 vite burg ish drejtoreshën e Kadastrës
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 18, të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurve Besjan Ramaj, Leonard Ramaj, Ardjan Malasi dhe Rajmonda Dashi”.
Gjykimi i kësaj çështjeje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Flora Hajredinaj, me vendimin Nr. 65, datë 17.10.2025, vendosi:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Besjan Ramaj për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 10 vite burgim.
- Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Besjan Ramaj për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i parë i Kodit Penal.
- Në zbatim të nenit 406, pika 1, të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Besjan Ramaj i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burgim.
- Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonard Ramaj për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 7 vite e 6 muaj burgim.
- Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Leonard Ramaj për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
- Në zbatim të nenit 406, pika 1, të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Leonard Ramaj i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 5 vite burgim.
- Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardjan Malasi për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 9 vite burgim.
- Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ardjan Malasi për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
- Në zbatim të nenit 406, pika 1, të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Ardjan Malasi i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 vite burgim.
- Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i arrestimit dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
- Deklarimin fajtor të të pandehurës Rajmonda Dashi për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimin e saj me 7 vite burgim.
- Në zbatim të nenit 406, pika 1, të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurës Rajmonda Dashi i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 4 vite e 8 muaj burgim.
- Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të mëtejshëm të këtij dënimi, duke e vënë në provë të pandehurën Rajmonda Dashi, për një periudhë kohe prej 3 vitesh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.
- Në bazë të nenit 389 të Kodit të Procedurës Penale, deklarohet heqja e masave të sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 234 dhe 233 të Kodit të Procedurës Penale, të caktuara ndaj të pandehurës Rajmonda Dashi me anë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Në bazë të nenit 190, pika 1, germa “a”, të Kodit të Procedurës Penale, sekuestrohen si prova materiale: aparat telefonik celular “Nokia”, model “3310 TA-1006”, me kartë SIM “Vodafone” me numër serial ****, sekuestruar shtetasit Ardjan Malasi; aparat telefonik celular “iPhone X”, me kartë SIM “One” me numër serial ****, sekuestruar shtetasit Ardjan Malasi; aparat telefonik celular “iPhone 13”, sekuestruar shtetases Rajmonda Dashi; njësi kompjuterike sekuestruar në zyrën e shoqërisë “Ledio 04” me numër serial ****; dhe shuma prej 2095 euro dhe 239500 lekësh, sekuestruar në automjetin e të pandehurit Ardjan Malasi.
- Qëndrojnë në fashikull si prova materiale: DVD me të dhënat e përftuara nga akti i ekspertimit nr. 49, datë 28.03.2024; USB “Verbatim” me të dhënat e përftuara nga akti i ekspertimit nr. 55, datë 03.04.2024; hard disk i jashtëm “Verbatim” me të dhënat e përftuara nga akti i ekspertimit nr. 184; fotokopje e regjistrit noterial me mbishkrimin në kapakun me ngjyrë vishnje, noter L.M. Në faqen e parë të regjistrit noterial fillon me aktin noterial nr. **** rep. Nr. **** kol. datë 13.06.2023 dhe veprimi i fundit noterial është me nr. **** rep. datë 05.10.2023, gjithsej 78 fletë, sekuestruar shtetasit L.M, me procesverbalin e datës 09.11.2023; dokumentet e sekuestruara në datën 26.10.2023 nga numri 1 deri në numrin rendor 31, sekuestruar në banesën e të pandehurit Ardjan Malasi; dokumentet e sekuestruara në datën 26.10.2023 nga numri 2 deri në numrin rendor 7, sekuestruar në banesën e të pandehurës Rajmonda Dashi.
- Në bazë të nenit 190, pika 1, germa “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, kthehen provat materiale të pandehurve: njësi qëndrore “Dell”, me Service tag ****, Express Service Code ****, sekuestruar shtetasit L.M me procesverbalin e datës 09.11.2023; nëntë (9) regjistra noterial sekuestruar shtetasit L.M, me procesverbalin e datës 09.11.2023; një çantë krahu lëkure me rrip, me ngjyrë blu të errët, me mbishkrimin “ARMANI JEANS”, sekuestruar shtetasit Ardjan Malasi; pasaportë shqiptare e shtetases Rajmonda Dashi me nr. ****.
- Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.