GJKKO shtyn seancën për ish-ministrin Ilir Beqaj, shkak mungesa e avokatëve
Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shtyrë seancën për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili po gjykohet lidhur me çështjen e koncesionit të sterilizimit. Beqaj akuzohet nga Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Ai dyshohet se, përmes veprimeve të tij gjatë ushtrimit të funksionit, ka dëmtuar buxhetin e shtetit dhe ka përfituar personalisht.
Bëhet e ditur se seanca është shtyrë pasi avokatët mbrojtës të Beqajt nuk kanë mundur të jenë të pranishëm në seancën e ditës së sotme, pasi ndodheshin të angazhuar në një proces tjetër gjyqësor paralel pranë GJKKO.
Seanca e radhës do të zhvillohet më datë 27 nëntor, ku do të shqyrtohen pretendimet e palëve dhe kërkesat procedurale të mbrojtjes.
Ish-ministri Ilir Beqaj është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit. Më datë 18 mars, atij iu komunikua akuza e shpërdorimit të detyrës kryer në bashkëpunim.
Ndaj Beqajt rëndojnë akuzat për “Shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim. Hetimi i SPAK ka pasur në fokus koncesionin për “shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor njëpërdorimësh steril në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”. Këto veprime kanë ndodhur në kohën kur Beqaj drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
