Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka shprehur kundërshtimin e saj të fuqishëm ndaj sanksioneve të reja të shpallura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër dy gjyqtarëve të saj. GJNP e ka cilësuar këtë veprim si një “sulm flagrant” ndaj pavarësisë së një institucioni gjyqësor të paanshëm.
Gjykata e ka kritikuar ashpër vendimin e SHBA-së për të vënë sanksione ndaj gjyqtares Gocha Lordkipanidze nga Gjeorgjia dhe gjyqtarit Erdenebalsuren Damdin nga Mongolia.
Në një deklaratë, GJNP theksoi: “Këto sanksione përbëjnë një sulm flagrant kundër pavarësisë së një institucioni gjyqësor të paanshëm, i cili vepron në përputhje me mandatin e dhënë nga Shtetet Palë të tij nga të gjitha rajonet.”
Gjykata paralajmëroi se kërcënimi ndaj aktorëve gjyqësorë për zbatimin e ligjit vë në rrezik vetë rendin ligjor ndërkombëtar. “Masat e tilla që synojnë gjyqtarët dhe prokurorët e zgjedhur nga Shtetet Palë minojnë sundimin e ligjit,” thuhet në deklaratë.
Deklarata rikonfirmoi mbështetjen e plotë të gjykatës për personelin e saj dhe për viktimat e mizorive të paimagjinueshme.
Më herët, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, kishte njoftuar sanksionet ndaj dy gjyqtarëve të GJNP-së, duke i akuzuar për “përfshirje të drejtpërdrejtë” në atë që ai e cilësoi si “shënjestrim të paligjshëm të Izraelit”.
Më parë, SHBA-të kishin vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të GJNP-së për autorizimin e urdhër-arresteve kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant. Këto urdhër-arreste i akuzojnë të dy zyrtarët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.
