Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Prokurorisë, lë në fuqi vendimin për ish-gjyqtarin.
Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Prokuroria kundër ish-gjyqtarit Admir Thanza, duke lënë në fuqi vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit, e cila e ka shpallur të pafajshëm.
Vendimi është marrë nga kolegji penal i Gjykatës së Lartë. Ish-gjyqtari Thanza ishte vënë nën hetim dhe më pas ishte dënuar për veprën penale të falsifikimit, me arsyetimin se nuk kishte respektuar ligjin e dekriminalizimit.
Megjithatë, Gjykata e Apelit nuk e ka gjetur të provuar akuzën dhe në vitin 2022 e ka shpallur të pafajshëm, duke hedhur poshtë hetimet e kryera nga prokuroria. Vendimi i pafajësisë u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë, e cila çmoi të pafajshëm ish-gjyqtarin, i cili ishte hetuar për mosdeklarim të një vendimi të marrë nga një gjykatë italiane.
