Gjykata Kushtetuese riktheu Veliajn në detyrë; anuloi dekretin për zgjedhjet

Gjykata Kushtetuese rivendos Veliajn në detyrë, zbardhen argumentet: Një i zgjedhur vendor shkarkohet vetëm për shkelje të rënda dhe duhet t’i garantohet procesi i rregullt ligjor

Gjykata Kushtetuese ka vendosur rivendosjen e Erion Veliajt në detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Sipas raportimit ekskluziv të Top Channel, shumica prej 5 gjyqtarësh votuan kundër vendimit të Qeverisë për shkarkimin e kryebashkiakut, i cili erdhi pas propozimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ky vendim anulon gjithashtu edhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve në Tiranë.

Argumentet kryesore të Gjykatës Kushtetuese:

  • Gjykata ka juridiksion për të shqyrtuar Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) për shkarkimin.
  • Një i zgjedhur vendor mund të shkarkohet vetëm për shkelje të rënda të ligjit dhe Kushtetutës, gjë që nuk ka ndodhur në këtë rast.
  • Këshilli Bashkiak dhe Qeveria nuk kanë garantuar një proces të rregullt ligjor, pasi kryebashkiakut nuk iu dha mundësia të ftohej, dëgjohej dhe të mbrohej. Njoftimi për mbledhjen e Këshillit Bashkiak nuk ishte i mjaftueshëm.
  • VKM-ja nuk përmbushte kriterin e shkeljes së rëndë të Kushtetutës, sipas nenit 115 të Kushtetutës.
  • Veliajt nuk i është garantuar një proces i rregullt ligjor.

ME SHUMICË VOTASH, GJYKATA KUSHTETUESE VENDOSI:

  • Shfuqizimin e VKM-së që shkarkoi Veliajn.
  • Shfuqizimin e Dekretit të Presidentit Begaj për zgjedhje, duke përjashtuar pjesën që i përket Tiranës.

VENDIMI I PLOTË:

Gjykata Kushtetuese, më datë 03.11.2025, shqyrtoi çështjen me kërkues Erion Veliaj. Objekti i kërkesës ishte shfuqizimi i vendimit nr. 539/2025 të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë, si dhe shfuqizimi i dekretit nr. 350/2025 të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, së bashku me pezullimin e efekteve të këtij dekreti.

Gjykata vlerësoi fillimisht, njëzëri, se ka juridiksion për kontrollin e VKM-së nr. 539/2025. Kjo bazuar në nenin 115, pika 2, të Kushtetutës, që i jep asaj kompetencën të shqyrtojë vendimin e shkarkimit të kryetarit të bashkisë, si organ i zgjedhur drejtpërdrejt i qeverisjes vendore. Kjo kompetencë mbron parimin e autonomisë vendore dhe të së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Në kuptim të nenit 115, pika 1, të Kushtetutës, shkarkimi nga detyra i një organi të zgjedhur drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore është një koncept kushtetues. Gjykata theksoi se, ndryshe nga rastet e mbarimit të mandatit sipas neneve 6/1 dhe 179/1 të Kushtetutës (procesi i dekriminalizimit), në të gjitha rastet e tjera të shkarkimit, ajo ka pranuar juridiksionin e saj për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e organeve të zgjedhura drejtpërdrejt të qeverisjes vendore.

Gjykata ritheksoi se garancitë kushtetuese të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore nuk mund të kufizohen me ligj, pasi kjo do të cenonte kompetencën e saj. Gjykata është organi kompetent për kontrollin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e organit të zgjedhur drejtpërdrejt, duke vlerësuar përputhshmërinë e tij me Kushtetutën dhe ligjin.

Lidhur me pretendimet e kërkuesit, Gjykata i shqyrtoi ato në themel, duke përjashtuar pretendimin për prezumimin e pafajësisë, të cilin e rrëzoi. Gjykata sqaroi se shqyrtimi i çështjes i përket procesit të shkarkimit nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë, dhe jo procesit penal të regjistruar kundër tij.

Në kuadër të së drejtës për proces të rregullt, Gjykata, duke vepruar si gjykatë fakti dhe ligji, analizoi kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e procesit dhe aktit të shkarkimit. Ajo shqyrtoi nëse shkaku i shkarkimit përbënte shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve, dhe nëse Këshilli i Ministrave kishte respektuar procedurat e duhura për motivimin dhe arsyetimin e vendimit.

Gjykata vlerësoi se neni 62 i ligjit nr. 139/2015 është një detajim i nenit 115, pika 1, të Kushtetutës. Ky nen kushtetues nuk i ka deleguar ligjvënësit të zakonshëm parashikimin e rasteve të tjera për shkarkim përveç atyre të përcaktuara prej saj, të cilat kanë të bëjnë me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve. Tre gjyqtarë mbajtën qëndrimin se parashikimet e nenit 62, shkronjat “a”, “b” dhe “c” të ligjit nr. 139/2015 janë miratuar në kuptim të delegimit kushtetues të nenit 115 të Kushtetutës.

Me shumicë votash, Gjykata vlerësoi se procedura e ndjekur nga këshilli bashkiak dhe Këshilli i Ministrave, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt, duke përfshirë të drejtën për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur. Gjykata theksoi se procesi i rregullt kërkon përmbushjen e garancive procedurale për individin, dhe barra e tyre bie mbi organet publike, jo mbi individin.

Gjithashtu, Gjykata vlerësoi, me shumicë votash, se Këshilli i Ministrave, duke vendosur shkarkimin e kërkuesit sipas nenit 62, shkronja “c”, të ligjit nr. 139/2015, nuk e ka justifikuar shkarkimin me shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve. Mbrojtja e interesit publik nuk mund të justifikojë cenimin e garancive kushtetuese.

Për këto arsye, Gjykata, me shumicë votash, vendosi shfuqizimin e VKM-së nr. 539/2025, pasi i është cenuar kërkuesit e drejta për proces të rregullt.

Lidhur me dekretin e Presidentit të Republikës, Gjykata theksoi se kontrolli i akteve të nxjerra si rrjedhojë e vendimit të shkarkimit dhe krijimit të vakancës, siç është dekreti i Presidentit, i takon juridiksionit kushtetues. Për rrjedhojë, nuk nevojitet të shterohen mjetet në gjykatën administrative.

Duke qenë se VKM-ja nr. 539/2025 u shfuqizua, me qëllim riparimin e pasojave, Gjykata vendosi të shfuqizojë edhe dekretin e Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë, pasi ai është një akt i nxjerrë për plotësimin e vakancës së krijuar nga vendimi i shkarkimit.

Në përfundim, Gjykata vendosi, me shumicë votash:

  • Pranimin e kërkesës.
  • Shfuqizimin e vendimit nr. 539, datë 25.09.2025 të Këshillit të Ministrave “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
  • Shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me paragrafët 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës.
  • Vazhdimin e masës së pezullimit të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 dhe Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Scroll to Top