Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Erion Veliajt, rrëzohet dekreti i presidentit dhe vendimi i qeverisë për shkarkimin e tij si kryetar i Bashkisë Tiranë
Gjykata Kushtetuese ka marrë sot vendimin lidhur me çështjen e Erion Veliajt, i cili kundërshtoi shkarkimin e tij si kryetar i Bashkisë Tiranë nga Këshilli i Ministrave, si dhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Tiranë.
Pas një seance të gjatë, rreth orës 17:30 është vendosur në favor të Erion Veliajt, duke i dhënë të drejtë të plotë për të vijuar detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Vendimmarrja e trupës gjykuese ka qenë me shumicë votash, 5 me 3, në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë, e cila kishte miratuar shkarkimin e kryebashkiakut pas propozimit të bërë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.
Gjatë seancës maratonë, trupa gjyqësore shpalli vendimin me pesë vota pro dhe tre kundër, duke e cilësuar të pavlefshëm shkarkimin e Veliajt dhe të papërshtatshëm dekretin për zgjedhje të reja në Tiranë.
Votat pro vendimit:
- Sander Beci
- Ilir Toska
- Fiona Papajorgji
- Marsida Xhaferllari
- Mariana Semini
Votat kundër vendimit:
- Olta Zaçaj
- Sonila Bejtja
- Gent Ibrahimi
Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese ka anuluar gjithashtu edhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj, që kishte caktuar datën e zgjedhjeve të reja në Tiranë më 9 nëntor.
Në vendim thuhet se Neni 115 i Kushtetutës qëndron më lart se ligji për vetëqeverisjen vendore dhe se kryetari i bashkisë mund të shkarkohet vetëm për shkelje të rënda. Gjithashtu, vendimi shton se Këshilli Bashkiak ka shkelur ligjin me vendimin për shkarkimin e Veliajt.
Pra, pavarësisht se ndodhet në paraburgim për shkak të hetimeve të SPAK, Erion Veliaj rikthehet në detyrë si kryetar i Bashkisë Tiranë.
