“`html
Gjykata Kushtetuese i jep fund debatit për pagat e magjistratëve: Vendimet tona janë të detyrueshme për zbatim
Gjykata Kushtetuese ka reaguar zyrtarisht lidhur me diskursin publik mbi pagat e magjistratëve. Institucioni thekson se vendimi i marrë më 17 shkurt ka formë të prerë dhe kërkon zbatim universal, në përputhje me Kushtetutën.
Gjykata Kushtetuese rithekson se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për të gjithë. Ndryshimet në mënyrën e përllogaritjes së pagave brenda administratës së saj apo fondet buxhetore në dispozicion nuk ndikojnë në efektet juridike dhe detyrimet që rrjedhin nga vendimet e saj.
Ky reagim vjen në një kohë kur Ministria e Financave ka bllokuar pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Arsyeja është miratimi i një vendimi nga vetë magjistratët, i cili parashikonte rritje të konsiderueshme të pagave. Pavarësisht kësaj, Kuvendi nuk është mbledhur ende për të miratuar këtë vendim, duke bërë që ministria të kërkojë që listë-pagesat të jenë me vlerat e vjetra, kërkesë kjo e kundërshtuar nga magjistratët.
Reagimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
- Lidhur me diskutimet publike për çështjen e pagave të magjistratëve, Gjykata Kushtetuese e konsideron të nevojshëm sqarimin se për këtë temë është shprehur tashmë me vendimin nr. 15, datë 17.02.2026.
- Ky vendim ka përcaktuar standardin kushtetues të zbatueshëm dhe ka evidentuar detyrimet përkatëse për autoritetet përgjegjëse.
- Arsyetimi dhe dispozitivi i vendimit përbëjnë qëndrimin zyrtar të Gjykatës dhe duhet të lexohen e zbatohen në tërësi, duke respektuar parimet kushtetuese.
- Gjykata rikonfirmon se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme.
- Respektimi dhe zbatimi i tyre janë kërkesë e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues, të lidhur ngushtë me shtetin e së drejtës dhe sigurinë juridike.
- Gjykata sqaron se mënyra e përllogaritjes dhe ekzekutimit të pagave në administratën e saj të brendshme, si dhe fondet buxhetore, nuk mund të interpretohen si përcaktuese për efektet juridike të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026, apo për detyrimet që ky vendim u sjell autoriteteve përgjegjëse.
“`
