Zampolli në Tiranë: Shteti Bektashi, politika dhe Trump

Çfarë fshihet pas shtetit Bektashi? Kush është Paolo Zampolli, i dërguari i Trump që viziton sot Tiranën, nga bota e modës te… Publikuar më 07.09.2026.

Paolo Zampolli, i Dërguari Special i Presidentit amerikan Donald Trump për Partneritetet Globale, ka mbërritur sot në Tiranë. Vizita e tij ka fokusuar, ndër të tjera, edhe projektin për krijimin e një shteti sovran Bektashi në kryeqytet.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Zampolli është takuar me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Baba Mondin, si dhe ka zhvilluar takime me përfaqësues të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Në axhendën e tij janë parashikuar gjithashtu takime me përfaqësues të qeverisë shqiptare.

Pas takimit në Kryegjyshatë, Zampolli foli për projektin e shtetit Bektashi, duke deklaruar se vendimi për këtë çështje i takon shqiptarëve. “Populli shqiptar duhet të vendosë,” është shprehur ai, duke shtuar se nëse shqiptarët e dëshirojnë një zhvillim të tillë, atëherë sipas tij bëhet fjalë për një projekt pozitiv. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë që administrata amerikane i kushton bashkëjetesës ndërfetare.

Vizita e Zampollit përfshin kontakte me aktorë të ndryshëm politikë shqiptarë. Ai është pritur nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndërsa ka zhvilluar takim edhe me përfaqësues të Partisë Demokratike. Në takimin me Ballën janë diskutuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe çështje që lidhen me paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin mes vendeve aleate.

Ndërkohë, përfaqësuesit e opozitës i kanë përcjellë Zampollit shqetësimet e tyre për situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, duke ngritur akuza për korrupsion dhe probleme me funksionimin e institucioneve.

Kush është Paolo Zampolli?

Paolo Zampolli është një figurë me një profil të pazakontë për diplomacinë amerikane. I lindur në Itali, ai e ndërtoi karrierën fillimisht në botën e biznesit dhe të modës në Neë York, përpara se të hynte në rrethin politik dhe shoqëror të Donald Trump. Marrëdhënia e tij me Trump daton prej vitesh dhe lidhet edhe me periudhën kur Zampolli ishte aktiv në industrinë e modës.

Ai ka qenë themelues i një agjencie modelingu në New York dhe është lidhur me promovimin e Melania Trump në fillimet e karrierës së saj si modele. Më vonë, Zampolli u afrua më shumë me rrethin e Trumpit, duke kaluar nga biznesi dhe aktivitetet sociale në angazhimin politik dhe diplomatik. Në mars të vitit 2025, Trump e emëroi Zampollin në postin e të Dërguarit Special për Partneritetet Globale, duke e bërë pjesë të administratës së tij.

Vizita në një moment të rëndësishëm për projektin Bektashi

Ardhja e Zampollit në Tiranë merr vëmendje të veçantë për shkak të debatit mbi krijimin e shtetit Bektashi. Ideja, e prezantuar më herët nga kryeministri Edi Rama, parashikon krijimin e një entiteti sovran të Urdhrit Bektashi në Tiranë. Gjatë vizitës së sotme, Zampolli e ka cilësuar projektin si një çështje që duhet të vendoset nga shqiptarët, ndërsa ka vlerësuar modelin shqiptar të bashkëjetesës fetare.

Vizita e tij në Tiranë vjen gjithashtu në një ditë kur Kryegjyshata Botërore Bektashiane shënon 35-vjetorin e rihapjes së selisë së saj në Tiranë pas rënies së regjimit komunist. Në aktivitetin e zhvilluar në Kryegjyshatë kanë marrë pjesë drejtues të komuniteteve të ndryshme fetare në Shqipëri.

Përveç takimeve politike dhe fetare, axhenda e Zampollit përfshin edhe kontakte me përfaqësues të institucioneve shqiptare, duke e kthyer vizitën e tij të sotme në një prej kontakteve të rëndësishme të administratës Trump me Shqipërinë.

Scroll to Top