Gjykata liron katër protestuesit që hodhën Molotov para Kryeministrisë
Gjykata e Tiranës ka liruar katër protestuesit e arrestuar pas protestës së Partisë Demokratike, të zhvilluar më 22 dhjetor para Kryeministrisë. Sipas gazetares Klodiana Lala, ndaj protestuesve të liruar nuk do të ketë masë detyrimi paraqitje.
Vendimi i gjykatës sqaron se:
- Konstatohet paligjshmëria e arrestimit të katër protestuesve.
- Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i tyre.
- Kërkesa për vendosjen e masës sigurimi rrëzohet.
Në mbështetje të protestuesve kishin shkuar edhe disa deputetë të Partisë Demokratike, mes tyre Klevis Balliu, Flamur Noka e Bledjon Nallbati.
Një ditë më parë, policia njoftoi se kishte vënë në pranga 4 protestues pasi kishin hedhur Molotov dhe kishin kundërshtuar uniformat blu. Ndërkohë, 7 persona të tjerë u proceduan penalisht.
Gjithashtu, policia bëri të ditur se kishte nisur hetim edhe për Ervin Minarollin, me detyrë sekretar organizativ pranë Partisë Demokratike.
Gjatë protestës mbetën të lënduar tre punonjës policie, të cilët morën mjekim në spital, si edhe një simpatizant i opozitës që u përfshi nga flakët e lëndës djegëse.
