Gjyqi i Nicolas Maduros në SHBA: Akuzat dhe mohimet

SHBA, fillon gjyqi ndaj Maduros: Presidenti i Venezuelës mohon akuzat, deklaron se është “njeri i mirë”

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, janë paraqitur për herë të parë në gjykatën federale amerikane për t’u përballur me akuzat për narkoterrorizëm. Ata akuzohen për komplot narkoterrorizmi, komplot për importimin e kokainës, posedim armësh dhe pajisjesh shkatërruese, si dhe komplot për posedimin e këtyre armëve.

Gjykatësi Alvin Hellerstein ka theksuar qëllimin e tij për të siguruar një gjyq të drejtë. Gjatë seancës, Nicolas Maduro u ngrit në këmbë për të konfirmuar identitetin e tij. Pas disa përpjekjesh, gjykatësi i kërkoi të konfirmonte emrin e tij, duke i thënë se “do të ketë kohë dhe vend për gjithçka”.

Në deklaratat e tij të para publike që nga sjellja në SHBA, Maduro u shpreh para gjykatës: “Unë jam presidenti i Venezuelës dhe u kapra nga shtëpia ime në Karakas. Nuk jam fajtor, jam një njeri i mirë, jam ende president i vendit tim”.

Vëmendja u kthye më pas te Cilia Flores, e cila gjithashtu u kërkua të ngrihej dhe të konfirmonte emrin e saj. Ajo u prezantua si “Cilia Flores Maduro, unë jam zonja e parë e Venezuelës”. Si bashkëshorti i saj, edhe Flores mohon të jetë fajtore për akuzat e ngritura kundër saj.

Scroll to Top