Si në film! Klientët terrorizohen, grabitësit hyjnë në dyqanin e njohur dhe vjedhin 12 çanta luksoze Gucci
Një grabitje spektakolare, si ato që shohim në filma, ka ndodhur në një dyqan luksoz në një qendër tregtare në shtetin e New York. Katër persona, përfshirë tre burra dhe një grua, kanë hyrë me forcë në një dyqan Gucci dhe kanë marrë me vete më shumë se një duzinë çanta të shtrenjta.
Ngjarja ndodhi më 16 prill në dyqanin Gucci të vendosur në Woodbury Common Premium Outlets. Grupi i dyshuar hyri në ambientet e dyqanit dhe nisi menjëherë të thyente vitrinat pranë hyrjes. Sipas raportimeve, ata kanë vjedhur çanta me vlerë rreth 30,000 dollarë, duke hequr shpejt sensorët e sigurisë para se të largoheshin.
Punonjësit e dyqanit mbetën të shokuar nga ngjarja, ndërsa disa klientë u përpoqën pa sukses të ndërhynin. Pamjet e sigurisë tregojnë momentin kur çantat shpërndahen në dysheme dhe grabitësit i mbledhin me nxitim përpara se të ikin.
Autoritetet bënë të ditur se të dyshuarit u larguan me një xhip të bardhë me qira dhe u ndoqën për një kohë nga policia në zonën e Newark, por ndjekja u ndërpre për arsye sigurie. Më pas ata braktisën automjetin dhe u arratisën në këmbë.
Policia në New York City dhe shtetet përreth është vënë në kërkim të grupit, duke dyshuar se ata mund të jenë të përfshirë edhe në grabitje të tjera në rajon. Veçanërisht, gruaja e dyshuar rezulton me disa urdhër-arreste të hapura për vjedhje të mëparshme.
Të katër personat mbeten ende në arrati, ndërsa hetimet po vazhdojnë në disa shtete njëkohësisht.
Burimi pamor:
GUCCI HEIST: New video shows suspects ransacking the Gucci store at Woodbury Common during last week’s smash and grab. Police say the group is still at large, and one woman is wanted in other similar tri-state thefts. 🔗 — Blaise Gomez (@BlaiseGomez12)
