Greqia forcon mbrojtjen: 28 miliardë euro për “Mburojën e Akilit”

28 miliardë euro për “Mburojën e Akilit”: Greqia forcon mbrojtjen me armatime nga Izraeli

Greqia është në bisedime me Izraelin për blerjen e sistemeve të avancuara raketash, të cilat do të përdoren për ngritjen e një kupole mbrojtëse ajrore. Reuters, duke cituar dy zyrtarë të informuar për planet, raporton se marrëveshja, ende në proces negociatash, është pjesë e një strategjie më të gjerë për modernizimin e Forcave të Armatosura Greke, me fokus të veçantë tek mbrojtja ajrore e vendit.

Athina ka njoftuar se do të investojë rreth 28 miliardë euro deri në vitin 2036 për të përmirësuar aftësitë e saj mbrojtëse. Ky investim vjen në një periudhë kur vendi po rimëkëmbet nga kriza e borxhit të viteve 2009-2018 dhe po përpiqet të ruajë një ekuilibër me rivalin e saj historik në Egje, Turqinë.

Sipas detajeve të marrëveshjes, rreth tre miliardë euro do të shkojnë për krijimin e një sistemi mbrojtjeje ajrore shumështresor, i quajtur “Mburoja e Akilit”, i cili do të jetë i aftë të përballojë sulme me dronë. Paralelisht, Athina planifikon të blejë avionë luftarakë të fshehtë (stealth), fregata dhe nëndetëse nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.

Zyrtarët kanë zbuluar se Greqia synon të blejë 36 sisteme artilerie PULS dhe sisteme anti-ajrore për projektin “Akili”. Negociatat me Izraelin pritet të intensifikohen muajin e ardhshëm, tha një nga zyrtarët për Reuters, duke shtuar se kompanitë greke do të angazhohen në rreth 25% të projektit.

Vlera e 36 sistemeve të artilerisë PULS, prodhuar nga kompania izraelite Elbit, arrin në 650 milionë euro. Këto sisteme do të vendosen për mbrojtjen e kufirit lindor të Greqisë me Turqinë. Zyrtari i dytë konfirmoi për Reuters se negociatat për blerjen e këtyre sistemeve janë në vazhdim. Ministria izraelite e Mbrojtjes nuk ka dhënë ende një koment zyrtar.

Greqia, e cila aktualisht përdor sistemet Patriot të prodhuara në SHBA për mbrojtjen ajrore, ka si qëllim të zëvendësojë sistemet e vjetra ruse si OSA, TOR-M1 dhe S-300. Në vitin 2024, vendi kishte shprehur interes për blerjen e sistemeve moderne anti-ajrore dhe artilerie nga Izraeli, por operacionet ushtarake izraelite në Gaza shtynë zhvillimin e diskutimeve.

Scroll to Top