Gruda dhe Vaiper refuzojnë Kombëtaren Shqiptare

EBUJSHME: Ndihmësi i trajnerit të Kombëtares shprehet publikisht për Brajan Grudën: “Të na lërë rehat”, asnjë bisedë miqësore me Nelson Vaiperin

Brajan Gruda ka mbyllur për momentin dyert për Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), pasi ka konfirmuar sërish se nuk është i interesuar të luajë për Shqipërinë. Zëvendëstrajneri i Kombëtares, Ervin Bulku, ka dhënë detaje edhe rreth lojtarit Nelson Vaiper, i cili, sipas Bulkut, as nuk pranon të zhvillojë një bisedë miqësore.

“Duke parë nevojat që kemi në skuadër, natyrshëm që dera e ekipit kombëtar është gjithmonë e hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të përfaqësojnë Kombëtaren,” ka deklaruar Bulku. “Por duke u ndalur te emrat konkretë si Brajan Gruda, ne kemi qenë në komunikim me të gjatë kohë. Ftesën e parë ai e ka marrë shumë vite më parë, që kur ishte 15 vjeç, për ekipet kombëtare të moshave, por ai ka vendosur të përfaqësojë moshate e Gjermanisë. Jo më larg se dje kam pasur një komunikim, unë personalisht bashkë me trajnerin. Menaxheri i tij na ka komunikuar që Brajanin duhet ta lëmë të qetë dhe të paktën për dy vite ose më shumë, sepse ai dëshiron të përfaqësojë skuadrën përfaqësuese të Gjermanisë. Ne kemi bërë gjithçka. Ka qenë e angazhuar e gjithë drejtoria teknike dhe deri te presidenti. Kemi kërkuar të bëjmë një takim me të, por nuk na është mundësuar nga ana e lojtarit.”

Lidhur me Nelson Vaiperin, Bulku shtoi: “Situata me Vajperin është e njëjta. Ai ndodhet për momentin në Shqipëri, është me pushime, sepse Shqipëria është e bukur dhe është vendi i tyre. Ai ndodhet me pushime në bregdetin e jugut. Kemi komunikuar me të afërm të tij, kemi kërkuar ta takojmë bashkë me trajnerin. Ai na ka kërkuar që, për momentin, pasi është me pushime, të mos ketë një takim apo bisedë miqësore me të. Por mos harrojmë që nuk është hera e parë që komunikojmë dhe kërkojmë që ata të bëhen pjesë e Shqipërisë. Por Vajper ka vendosur që Europianin që do të zhvillohet në vendin tonë, ta zhvillojë me kombëtaren e 21-vjeçarëve të Gjermanisë,” u shpreh Bulku në emisionin “Shtëpia e Futbollit”.

Scroll to Top