Rama: Mykonosi si shembull për investimet në Shqipëri

Rama sjell shembullin e Mykonosit: Greqia vazhdon të tërheqë investime, ndërsa Shqipëria përballet me debate të brendshme. Të gjithë maten me investimet e huaja tërheqëse.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale lidhur me protestat e zhvilluara ditët e fundit në Tiranë kundër projektit të Zvërnecit. Duke marrë si shembull zhvillimet në ishullin grek të Mykonos, kreu i qeverisë ka mbrojtur nevojën për tërheqjen e kapitaleve të huaja në Shqipëri, ndërsa ka kritikuar ashpër kundërshtimet ndaj investitorëve të mëdhenj.

Rama thekson se vendet e rajonit dhe të Mesdheut po garojnë për të siguruar sa më shumë investime ndërkombëtare. Sipas tij, Shqipëria nuk mund të lejojë që debatet dhe protestat të kthehen në pengesë për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

“Greqia vazhdon të tërheqë me sukses investime të huaja, kurse ne përballemi me përçarje të brendshme, duke u përfshirë në debate të panevojshme, sikurse përballë dikujt që thotë se 1+1 bën 2. Kështu, rrotullohemi në vendnumërim kur konkurrenca vazhdon marshimin drejt sigurimit të më shumë investimeve të huaja… Si mund t’i mbyllim rrugët kapitaleve të mëdha tani që ato po fillojnë të vijnë në Shqipëri, pas gjithë përpjekjeve të mëdha që kemi bërë për të arritur në këtë pikë?! E gjithë bota e zhvillon turizmin dhe ekonominë duke u matur me sasinë e investimeve të huaja që tërheq, ndërsa ne do të matemi me rezistencën tonë kundër tyre?! Ky është një thirrje për vetëprapësim kolektiv, të cilin Shqipëria nuk mund, nuk duhet dhe nuk do ta pranojë.”

Rama përmend se marka të mëdha ndërkombëtare të hotelerisë po investojnë në Mykonos, ku janë planifikuar të hapen së shpejti hotele të reja me pesë yje nga Four Seasons, Fouquet’s dhe MGallery. Pavarësisht tensioneve gjeopolitike dhe një sezoni sfidues për turizmin, Mykonos vazhdon të mbetet një nga destinacionet premium më të rëndësishme në Mesdhe. Kompanitë ajrore po rrisin numrin e vendeve të disponueshme në fluturimet ndërkombëtare për sezonin 2026, me një rritje prej 7.1% të kapacitetit hyrës. Gjithashtu, po shtohen linja të reja ajrore nga Roma, Londra, Abu Dhabi dhe Dubai, duke forcuar më tej lidhjet ndërkombëtare të Mykonosit. Një resort i ri me pesë yje, me vlerë mbi 100 milionë euro dhe i lidhur me investitorin egjiptian Naguib Sawiris, pritet të hapë dyert në maj të vitit 2027.

Scroll to Top