Hakerimi i SPAK: Berisha akuzon Ramën, kërkon dorëheqjen

Dosja e piratimit të kompjuterave të SPAK/ Berisha: Raportonin direkt te Rama!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot përmes një deklarate për mediat lidhur me hakerimin e Prokurorisë së Posaçme, duke e cilësuar ngjarjen si një nga shkeljet më të rënda ndaj funksionimit të sistemit të drejtësisë.

Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për përgjegjësi politike dhe institucionale në këtë çështje. Sipas tij, faktet e bëra publike tregojnë se Arnold Rrokaj raportonte drejtpërdrejt te kryeministri, çka, sipas Berishës, përbën provë të implikimit të kreut të qeverisë.

“U kam deklaruar këtu se përfitues nga hakerimi ka qenë Edi Rama, një gjykatës, Ergys Agasi dhe e kam listën aty se kush kanë qenë porositësit e tyre. Tani del fakt, nuk ka asnjë rëndësi, se Arnold Rrokaj do t’i raportonte direkt Ramës. Pra kishte numrin e kryeministrit dhe do i jepte sihariqin e parë atij për faqet që kishin hakeruar”, u shpreh Berisha.

Në këtë kuadër, ai kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit, duke e konsideruar hakerimin si një përpjekje për të siguruar akses në dokumente hetimore konfidenciale me qëllim ndikimin dhe kontrollin e proceseve të drejtësisë.

Në konferencën për mediat, Berisha publikoi edhe një pjesë të përgjimeve që, sipas tij, i përkasin personave që u vodhën të dhënat nga kompjuterat e prokurorëve të SPAK:

  • “Pershendetje Doktor një info te veçante nëse të duhet: Tek dosja e hakerimit te sistemit të spak, hakeruesi permend emrin e Ramës si person qe mund te ketë urdhëruar hakerimi.”

Pjesa nga dosja:

Në datën 12 shkurt 2025, ora 21:17, Arnold Rrokaj i dërgon Zambak Gjonit një foto që duket si faqe interneti, nga e cila mund të aksesohen sistemet e SPAK. Më pas, ai i dërgon një SMS me përmbajtjen: “A mos e hapsha dot”.

Më tej, Arnold Rrokaj i dërgon sërish një SMS Zambak Gjonit: “Se do i shkruaj Ramës… hajt tu qim ropt”.

Nga përmbajtja e këtij komunikimi krijohet bindja e arsyeshme se veprimet e të hetuarit kanë të bëjnë me ndërhyrje të paautorizuar në sistemet e SPAK, me qëllim dëmtimin e tyre përmes shpërndarjes së dokumenteve te persona të tretë.

Në vijim, në datën 21 shkurt, i hetuari Zambak kërkon informacion edhe për arrestimin e shtetasit Engjëll Agaçi, ndërsa Arnoldi shprehet: “Ja ta shikoj njëherë. Po ç’rëndësi ka kush prokuror e ka. Nga këta që kam unë, s’e ka njeri.”

Deklarata e plotë e Berishës për këtë çështje:

“Pra, besoj se edhe unë e kam denoncuar pa pasur asnjë dokument, dhe u kam deklaruar këtu se përfitues nga hakerimi ka qenë Edi Rama, një gjykatës, Ergys Agasi dhe e kam listën aty se kush kanë qenë porositësit e tyre. Tani del fakt, nuk ka asnjë rëndësi, se Arnold Rrokaj do t’i raportonte direkt Ramës. Pra kishte numrin e kryeministrit dhe do i jepte sihariqin e parë atij për faqet që kishin hakeruar. Ky përbën një nga krimet më të shëmtuara dhe më të rënda. Ky është implikim madhor i Edi Ramës dhe unë kërkoj dorëheqjen e tij urgjente.

Të dashur qytetare dhe qytetarë, shikoni pra se si kreu i organizatës kriminale të ekzekutivit shqiptar kërkonte të vidhte dokumentet sekrete të hetimit vetëm e vetëm që të mund të kontrollonte këtë proces në mënyrat e tij. E dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal. Edhe njëherë kërkoj largimin e menjëhershëm nga detyra të kryeministrit.

Sikundër u bëj thirrje shqiptarëve të marrin në dorë fatet e ligjit dhe Kushtetutës në këtë vend sepse Edi Rama po kërkon t’i shkelmojë, t’i nënçmojë, t’i përdorë ato për qëllime krejtësisht kriminale të vetat.”

Scroll to Top