Hamasi është i hapur për diskutimin e “ngrirjes ose depozitimit” të armatimeve të tij si pjesë e një armëpushimi me Izraelin, duke sugjeruar një qasje të mundshme për një nga çështjet më të ndërlikuara të negociatave për armëpushim në Rripin e Gazës.
Basem Naim, një anëtar i zyrës politike të Hamasit, u shpreh për Associated Press se organizata është e gatshme të eksplorojë një “qasje gjithëpërfshirëse për të shmangur përshkallëzime të mëtejshme apo konflikte të reja”.
Kërkesa e Izraelit që Hamasi t’i dorëzojë armët e tij, e konsideruar si një pikë kyçe dhe e pashmangshme nga ana izraelite, paraqet një sfidë të madhe për t’u përmbushur.
Naim theksoi se Hamasi ruan “të drejtën për rezistencë”, por shtoi se organizata është e gatshme të dorëzojë armët brenda një procesi që synon krijimin e një shteti palestinez. Ai propozoi një armëpushim afatgjatë pesë ose dhjetë vjeçar për të zhvilluar diskutimet, duke u shprehur i “shumë i hapur” për zgjidhje lidhur me armët.
“Ne mund të diskutojmë për ‘ngrirjen’, depozitimin ose dorëzimin e armëve, me garancinë e palestinezëve se nuk do t’i përdorin ato gjatë këtij armëpushimi,” tha Naim.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse sulmi i Hamasit më 7 tetor ishte gabim, Naim e mbrojti atë si një “akt mbrojtjeje”.
Faza e dytë e negociatave pritet të jetë më e ndërlikuar, duke përfshirë çështje si vendosja e një force ndërkombëtare sigurie, krijimi i një komiteti teknik palestinez në Gaza, tërheqja e forcave izraelite dhe de-armimi i Hamasit.
Një komitet ndërkombëtar, ku mund të marrë pjesë edhe Donald Trump, do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes dhe rindërtimin e Gazës.
Naim theksoi se plani 20-pikësh “ka nevojë për shumë sqarime”, ndërsa një nga çështjet urgjente mbetet forca ndërkombëtare e stabilizimit, duke sqaruar se de-armimi i Hamasit nga kjo forcë do të ishte i papranueshëm.
