Helmimi i 56 studentëve në Akademinë e Sigurisë: AKU mori mostra uji dhe ambientesh
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar sërish lidhur me rastin e helmimit të 56 studentëve në Akademinë e Sigurisë, duke njoftuar se hetimet për zbardhjen e ngjarjes po vijojnë.
Sipas AKU-së, pas marrjes së mostrave të ushqimeve të furnizuara nga kompania “Sori-Al”, është kryer edhe kampionimi i ujit të rrjetit, i cili do t’i nënshtrohet analizave mikrobiologjike.
Institucioni sqaron se, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, po vijojnë verifikimet për të identifikuar burimin e dyshuar të infeksionit.
Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik ka marrë mostra edhe për testimin e higjienës në ambientet ku përgatitej ushqimi.
AKU bëri të ditur se rezultatet e analizave laboratorike dhe raporti epidemiologjik pritet të përcaktojnë shkakun e helmimit dhe masat që do të ndërmerren më tej.
