Hendeku ekonomik mes qarqeve të Shqipërisë dhe Tiranës thellohet

INSTAT: Gjysma e qarqeve kanë të ardhura për frymë më pak se 50% të Tiranës

Përqendrimi i aktivitetit ekonomik dhe i popullsisë në Tiranë po thellon pabarazinë ekonomike ndërmjet 11 qarqeve të tjera dhe kryeqytetit.

Të dhënat mbi ekonominë e rajoneve, të publikuara së fundmi nga INSTAT dhe që i referohen vitit 2023, tregojnë se gjysma e qarqeve, rreth 5 prej tyre, kishin PBB-në për frymë më pak se gjysma e kryeqytetit.

Qarku me të ardhurat më të ulëta është Kukësi, me vetëm 40.2% të Tiranës, çka vë në dukje pabarazitë e mëdha territoriale në vend. Pas tij vijnë Dibra dhe Berati, me rreth 43–44% të nivelit të Tiranës. Ndërsa Elbasani dhe Korça shfaqin një situatë pak më të mirë, por sërish nën 50% të të ardhurave për frymë të Tiranës.

Lezha dhe Shkodra gjithashtu kanë të ardhura për frymë që variojnë nga 50.7% deri në 56.4% të Tiranës. Gjirokastra ngjitet në 62.5%, duke hyrë në grupin e qarqeve me të ardhura më afër mesatares kombëtare.

Në vijim, Vlora, Fieri dhe Durrësi paraqiten si qarqet më të zhvilluara jashtë Tiranës, me nivel të të ardhurave që shkon nga 71% në mbi 79% të vlerës së kryeqytetit. Kjo për shkak të peshës së lartë të sektorëve të turizmit, industrisë dhe transportit në këto rajone.

Në vitin 2023, në rajonin e Veriut, ku bëjnë pjesë qarqet e Shkodrës, Durrësi, Lezhës, Kukësit dhe Dibrës, PBB për frymë ishte 819 mijë Lekë ose 16.80% nën mesataren e vendit.

Në rajonin Qendër, ku përfshihen Tirana dhe Elbasani, PBB për frymë rezultoi 1.9 milionë lekë në 2023 ose 21.8% mbi mesataren e vendit.

Në rajonin e Jugut të vendit, ku përfshihen qarku i Beratit, Vlorës, Fierit, Gjirokastrës dhe Korçës, PBB për frymë ishte 845 mijë lekë në 2023 ose 14.12% nën mesataren e vendit.

Niveli më i lartë i PBB-së për frymë në vitin 2023 u regjistrua në Qarkun Tiranë, me 1.3 milionë lekë, duke u vlerësuar 38.9% mbi mesataren e vendit. Pas tij renditet Qarku Durrës me PBB për frymë 1.086 mijë Lekë, duke u vlerësuar 10.31% mbi mesataren e vendit, dhe Qarku Fier me 1.042 mijë Lekë, 5.82% mbi mesataren e vendit.

Niveli më i ulët i PBB-së për frymë u vlerësua në Qarkun Kukës me rreth 549 mijë Lekë PBB për frymë, i ndjekur nga qarku Dibër me rreth 595 mijë Lekë PBB për frymë, dhe qarku Berat me 599 mijë Lekë.

Në vitet në vijim, hendeku ekonomik me rajonet e tjera pritet të thellohet më tej, për shkak se PBB-ja e kryeqytetit po rritet me ritme më të shpejta.

Scroll to Top